FOTO/ Ish-ministri përgënjeshtron ish- deputetin: Nuk jam larguar nga LSI!

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Gledion Rahovica i cili së fundmi i është bashkuar Partisë Socialiste, mbrëmjen e djeshme në emisionin Spotlight nga Alban Dudushi në Vizion Plus deklaroi, se një nga themeluesit e parë të LSI dhe ish-ministër i saj, Sokol Dervishaj, është larguar nga kjo forcë politike por ende nuk e ka bërë publike këtë lëvizje.

“Cila nga këto figura që sot është larguar nga LSI-a është akuzuar për korrupsion? Sot që largohen nga LSI, qenkan të gjithë të korruptuar. Nuk e di unë, cili është larguar sot që ka qenë, është akuzuar dje për korrupsion. Nuk di të jetë akuzuar ndonjëherë z. Naço për korrupsion. Nuk di përveç akuzave për konsumim politike nga PD, për z. Koka, të jetë akuzuar për korrupsion. Nuk di për ish-ministrin e Infrastrukturës, z. Dervishi, është larguar, pavarësisht se nuk është bërë publike, nuk e di të jetë akuzuar për korrupsion. E shumë e shumë figura të tjera”, deklaroi Rehovica mbrëmë.

Por ditën e sotme ish ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, e ka përgënjeshtruar me indinjatë këtë lajm, duke e cilësuar fakenews.

“Me indinjatë lexova një pseudo-lajm që në mënyrë krejt abuzive për një media profesionale është shfaqur si buja e radhës në programin mediatik që ka filluar të dominojë mbi debatin real programor të asaj që duhet të ishte beteja e ideve në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit. Si njëri nga anëtarët themelues të LSI dhe për këdo që më njeh sado pak, unë nuk hyj në kategorinë e njerëzve që kanë nevojë për sufler apo zëdhënës. Nëse do të isha distancuar apo larguar nga partia që kemi bashkë-themeluar me shumë kolegë të nderuar, do të kisha si gjithnjë kurajën të deklarohesha vet për qëndrimin apo vendimin tim, duke ua bërë këtë të ditur më parë te gjithë atyre që kemi bashkë-udhëtuar këto 17 vite. Por fatkeqësisht për abuzuesit me të vërtetën, kjo gjë nuk ka ndodhur. Pra me pak fjalë, një fake news në vazhdën e një maratone fakenews, që do lexojmë edhe në të ardhmen. Një këshillë miqësore për të gjithë, fokusohuni te programet, idetë, alternativat, se me ato do të ballafaqohemi në zgjedhje dhe jo me lajme të rreme e skupe dite”, shkruhet në një deklaratë të Dervishaj shpërndarë për mediat.