OKB bën thirrje për armëpushim në Republikën e Afrikës Qendrore

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres të mërkurën vonë dënoi dhunën e fundit në Republikën e Afrikës Qendrore (RAQ), duke përsëritur thirrjen e tij për armëpushim global në kontekstin e pandemisë së COVID-19, tha zëdhënësi i tij.

Stephane Dujarric tha se Guterres shpreh shqetësimet për përplasjet e fundit të armatosura dhe kërcënimet ndaj civilëve.

"Ai shpreh keqardhje për humbjen e jetëve njerëzore, përkeqësimin e situatës humanitare, zhvendosjen e detyruar të mbi 200 mijë personave dhe vuajtjet në rritje të popullsisë".

Dujarric përsëriti se autorët e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare si dhe krimeve të rënda, përfshirë vrasjen e civilëve dhe paqeruajtësve të OKB-së, duhet të mbajnë përgjegjësi.

Ai tha se Guterres ka marrë parasysh rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve legjislative, siç u shpall nga Gjykata Kushtetuese më 1 shkurt. Raundi i dytë është caktuar për më 14 shkurt.

Presidenti Faustin-Archange Touadera u shpall fitues, me 53 për qind të votave në zgjedhjet e 27 dhjetorit.

Situata në RAQ, një vend pa dalje në det në Afrikën Qendrore u përkeqësua pas refuzimit të kandidaturës së ish-presidentit, François Bozize për zgjedhjet presidenciale.

Bozize pastaj bashkoi forcat me grupe të tjera të armatosura, disa prej të cilave kishin sulmuar koalicionin Seleka të cilin e përmbysën në vitin 2013, duke zhytur vendin në paqëndrueshmëri.

Koalicioni i Opozitës Demokratike (COD-2020), i përbërë nga disa parti politike, ka njoftuar tërheqjen e tij nga procesi aktual zgjedhor dhe mosnjohjen e rezultateve.