Rroca: Vllaznia më kujton Luftëtarin, pres një ftesë nga kombëtarja

Eduart Rroca vijon të shkëlqejë me fanellën e Istanbulspor në ligën e parë turke, pasi edhe këtë javë shënoi një gol dhe dha një asist për Valon Et’hemin.

Së fundmi, Rroca ka dhënë një intervistë për emisionin “Sport Time”, ku foli për ecurinë e karrierës në Turqi.

Duket se eksperienca në kampionatin turk po ecën më së miri…

Është e vërtetë, jam ambientuar mjaft mirë dhe po e shfaq këtë edhe në fushën e lojës. Kemi një skuadër të mirë, me pretendime dhe me lojtarë cilësorë, ndaj jemi përkushtuar të bëjmë maksimumin për të ngjitur Istanbulsporin në elitën e futbollit turk.

Aty keni edhe Abazajn e Et’hemin tashmë…

Me Abazajn kam luajtur për shumë kohë dhe njihemi mirë si në jetë, ashtu edhe në fushë. Edhe me Et’hemin kam luajtur një sezon te Kukësi dhe kemi marrëdhënie mjaft të mira. Të tre jemi ambientuar mirë dhe kalojmë shumë mirë këtu. Është shumë i rëndësishëm fakti që tre shqiptarë jemi bashkë dhe po ndihmojmë ekipin. Abazaj është më i çmenduri i grupit, ndërsa Valoni është më i qeti.

A e prisni një ftesë nga Kombëtarja?

Unë jam i përqendruar të punoj mirë në stërvitje dhe të bëj sa më mirë në fushën e lojës. Më pas përderisa bëj mirë dhe jam në formë, pse mos të vijë edhe ftesa. Shpresoj që paraqitjet e mia të kenë rënë në sytë e njerëzve kompetentë dhe të vijë një ftesë sa më shpejt, pasi Kombëtarja është ëndërr për çdo futbollist.

A e ndiqni Superioren dhe si ju duket gara për titullin?

Mundohem të ndjek sa më shumë ndeshje, por edhe shumë kohë nuk kemi për t’i parë të gjitha. Më ka surprizuar shumë Vllaznia, pasi po bën futboll shumë të bukur, njësoj si ne te Luftëtari. Janë shumë tërheqës kur i sheh në fushë, por kam frikën e një rënieje në javët në vijim. Si rivalë të shkodranëve shoh Partizanin dhe Teutën.

Cili është objektivi juaj për të ardhmen?

Dua të luaj në ekipet e Superligës së Turqisë. Do të ishte kënaqësi për mua dhe për karrierën time do të ishte një hap i madh të luaja në elitën turke. Objektivi ka qenë minimumi arritja e Play off-it, por po zhvillojmë një futboll të bukur. Para se të vija këtu, kam pyetur Cikalleshin, e më ka thënë mos e mendo shumë sepse të përshtatet shumë. Këtu i shohin shumë ndeshjet e Istanbulusporit.