Mërgim Vojvoda lë pas dëmtimin, nis stërvitjen me Torinon

Mërgim Vojvoda i ka dhënë fund dëmtimit që e pësoi më 12 janar në ndeshjen me Milanin në Kupën e Italisë.

Futbollisti kosovar lëndoi krahun në duelin e “San Siros” dhe u detyrua ta linte fushën para kohe.

Mediat italiane raportojnë se përfaqësuesi kosovar i është bashkuar sot ekipit të Torinos në stërvitje.

Vojvoda e ka kaluar një pjesë të ushtrimeve me ekipin dhe një pjesë tjetër i diferencuar.

Vojvoda nuk ka qenë asnjëherë në dispozicion të trajnerit të ri, Davide Nicola.

Nesër, Vojvoda do të ushtrojë përsëri dhe më pas stafi mjekësor do ta vlerësojë se kur do të jetë i gatshëm të luajë ai.

Torino do të luajë gjatë fundjavës në Atalantan dhe nuk dihet ende nëse mbrojtësi i djathtë do të jetë i gatshëm për këtë lojë.

Vojvoda e kishte nisur pozitivisht eksperiencën “Granata”, por më pas kishte rënie të formës dhe në disa ndeshje kishte përfunduar në bankinë.