Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, krijohet identikiti i autorëve: Ishin dy të rinj, ikën me ...

Ekzekutimi mafioz i Shkëlzen Kastratit në Fier mendohet se është kryer nga dy të rinj të moshës 20-25 vjeç. Këto detaje janë zbardhur nga dëshmitë e mbledhura nga grupi hetimor.

Sipas hetimeve, një person ka parë momentin, kur dy të rinjtë kanë zbritur nga makina, me të cilën u krye atentati dhe i kanë vënë flakën.

Më pas, të rinjtë janë larguar me një mjet Audi.

Në makinën Range Rover, nga e cila e krye ekzekutimi mafioz i Shkëlzen Kastratit, kanë qenë dy të rinj të moshës 20-25 vjeç. Ky detaj është zbuluar nga grupi hetimor në bazë të dëshmive të mbledhura pas atentatit të bërë te rrethrrotullimi i Sheqit, ndërkohë që ende po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Burimet policore bënë me dije se një dëshmitar ka parë momentin te Mbikalimi i Baltëzës, kur nga makina e atentatit kanë zbritur dy të rinj, e kanë spërkatur mjetin me benzinë dhe i kanë vënë flakën.

Më pas, ata janë ngjitur në autostradë, ku i priste një makinë Audi, ngjyrë e zezë dhe janë larguar me shpejtësi. Sipas policisë, aktualisht po punohet për identifikimin e mjetit Audi, nëpërmjet këqyrjes së kamerave të sigurisë.

Ndërkohë, mjeti i djegur rezulton se është blerë në Shqipëri, por mbahej me targa greke. Gjithsesi, policia është treguar e rezervuar për informacionet mbi këtë mjet, që mendohet se mund të çojë drejt zbardhjes së vrasjes mafioze.

Dyshimet kryesore mbeten larja e hesapeve me vëllezërit Binjaku. Saga e hakmarrjes ka nisur rreth 25 vite më parë, ndërkohë që me viktimën e fundit në radhët e familjes Kastrati janë shënuar 3 viktima dhe dy të plagosur.

Ndërkohë, një tjetër viktimë është edhe Granit Kasa, shok i vëllait të viktimës, të cilit iu bë atentat 5 vite më parë.