Lamtumirë, i dashur Lenc! Vdes edhe luani i dytë shqiptar në Holandë nga plagët e së shkuarës

Nuk mund të themi ngordhi! Ka vdekur më 2 shkurt 2021 në Holandë, edhe i dyti luan shqiptar, Lenci, një nga tre kafshët e mëdha që u morën nga “biruca zoologjike” e Fierit dhe  u dërgua në qendrën Felida të kujdesit në Nijeberkoop të Holandës . Më herët, nga të njejtat plagë të së kaluarës, kishte vdekur edhe luani me emrin Zhaku. E tashmë ka mbetur vetëm Boby.

Organizata Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Kafshëve Four Paws njoftoi sot se kur humbet çdo shpresë për përmirësim, duhet të jemi të fortë dhe të ofrojmë llojin më të vështirë të kujdesit që ka mbetur: parandalimin e vuajtjeve të mëtejshme.

Fatkeqësisht, kjo është një pjesë e rëndësishme e përgjegjësive të ekipit tonë në qendrën e kujdesit të veçantë për kafshët e traumatizuara.

Pra edhe dje: me trishtim te madh ju bëjmë me dije se shoku ynë Lenci nuk është më. Lenci ka kaluar kaq shumë në jetën e tij, dhe i është dashur të luftojë kaq shumë.

Në maj të vitit 2019 mbërriti në  FELIDA Big Cat Centre, i traumatizuar rëndë si mendërisht ashtu edhe fizikisht, pasi e shpëtuam nga një kopsht zoologjik ilegal privat në Shqipëri.

Falë kujdesit të specializuar, ai u rikuperua ngadalë dhe shijoi dukshëm barin nën putrat e tij, diellin në gëzofine tij, gëzimin për të luajtur dhe paqen rreth tij. Por, shëndeti i tij mbeti i brishtë, sepse vuajtjet e shumta mbi beton në një kafaz të vogël dhe kushte jo të mira, pa kujdesin e duhur, kishin lënë shenja të thella dhe të pashlyeshme.

Kohët e fundit, sjellja e gëzuar e Lencit ndryshoi dhe ai dukej se kishte dhimbje.

Ekzaminimi mjekësor, përfshirë një skanim CT, zbuloi se ai vuante nga një inflamacion kronik, shumë i dhimbshëm në zonën e hundës që do të përhapej më tej, duke shkaktuar më shumë dhimbje.

Trajtimi afatgjatë nuk do ta zgjidhte këtë problem dhe e pamë të dobësohej pavarësisht paraqitjes së tij të ashpër, të madhe.

Lenci ishte i rraskapitur, e kaluara e tij e trazuar u kthye tek ai dhe vullneti për të luftuar u shua.

Jemi shumë të mërzitur që na u desh ta linim të ikte, por edhe të lehtësuar që lufta e tij ka mbaruar. Falë jush ai mori një shans të dytë dhe njohu paqe, dashuri dhe gëzim për herë të parë në jetën e tij.

Lenci, ti ndryshove botën tonë aq sa ne ndryshuam tënden. Nuk do të të harrojmë kurrë, ti ishe mirësi!”përfundon njoftimi i Four Paws./ar.sh/SYRI.NET

Luani Lenci, në muajt e parë të mbërritjes në Holandë.