Gështenjat e pjekura...

Skicë

-O burrë, boll me katër kupa gështenjash në ditë se dy veta jemi, - më foli e nxehur ime shoqe.

Kishte të drejtë. U bë një javë që vij duarplot në shtëpi. Gështenja të pjekura dhe të qëruara. Gështenja Tropoje, të shijshme mjaltë. I pjek një familje te cepi i pallatit. Burri në mëngjes, gruaja pasdite. Në darkë vjen sërish burri. Kur largohen ai merr në një dorë zgarën e vogël prej teneqeje me ca vrima sipër e në sup hedh thesin e qymyrit.

Ka dy muaj që i shoh atje. Të ngulur te stoli i vogël. Me duart mbi zjarr e mbi gështenja. I qërojnë sikur numërojnë hallet. Me sy te kalimtarët. Duke qeshur e duke pritur.

I kundroj nga larg. Gëzohem kur dikush ble një a dy gota. Atëherë kur shoh që plastiket janë radhë, nxjerrin avull, afrohem e porosis:

-Katër kupa. Të qëruara.

Burri ose gruaja sa dëgjon këtë porosi skuqet sikur do e xhirojnë për film. Ka emocion. Me paratë për ato kupa mbase ble bukë, domate, vezë a fletore për fëmijët.

Sa m’i bën gati i hedh të gjitha në një qese e i zbraz në kuzhinë.

-Mos na sill më, - m’u lut gruaja.

Dola e te rruga pashë gështenjapjeksin. Harrova ç’më tha ime shoqe.

-Katër kupa, me të qëruara! - i thashë.

Sa i mora më ngeli qesja në dorë. Në shtëpi nuk mund t’i çoja. E gjeta zgjidhjen, do ia çoja hallës. E rrugës bëra planin e javës. Nesër do ia çoj xhajës, pasnesër Bertit, shokut tim, të enjte xha Llazit, të premte berberit, të shtunë...

Nuk u le vetëm, i fola nga larg burrit që mes zjarrit trazonte gështenjat me duart e pjekura.

Çdo ditë do ua ble katër kupa. Shpejtova hapat që halla t’i shijonte të ngrohta.