Programi i PD: Rritje 50% pagave të pedagogëve, investim tek studentët e shkëlqyer, stazhe të paguara

Nga programi i Partisë Demokratike për Arsimin, në veçanti për Arsimin e Lartë dhe studentë e pedagogë, shpalosur sot nga Kryetari i PD-së, Lulzim Basha. 

"Kjo qeveri e ka lënë pas dore arsimin e lartë dhe i ka braktisur universitetet dhe studentët.

Studentët shqiptarë shkëlqejnë në mbarë botën përveçse këtu në vendin e tyre. Nuk ka asnjë arsye pse mos t’i mbajmë të rinjtë tanë në Shqipëri po për këtë duhet urgjentisht të përmirësojmë arsimin e lartë.

1. Unë angazhohem se do garantoj pavarësinë e universiteteve dhe lirinë e nevojshme akademike, duke e miratuar menjëherë sapo të zgjidhem kryeministër ligjin e ri për arsimin e lartë, në bashkëpunim me akademikët, specialistët më të mirë dhe vetë studentët dhe në përputhje me standardet dhe parimet më të avancuara bashkëkohore europiane.

2. Angazhohem se do të rrisim pagat me 50%, duke ju garantuar pedagogëve shqiptarë paga prej 900 Euro në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 Euro.

3. Ne do të paguajmë plotësisht koston e tarifave të ciklit të parë apo të dytë të studimeve pasuniversitare për çdo studentët dhe studente që vjen nga familje me të ardhura nën 64.000 Lekë të vjetra në muaj. Dhe ne do të financojmë 50% për studentët nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj.

4. Ne do investojmë tek studentë e shkëlqyer duke i mundësuar atyre studimin në universitetet më të mira të botës, si dhe duke mbështetur programin Brain Gain, i cili nuk nuk do të bazohet më mbi nepotizëm e ndërhyrje politike, por mbi bazën e meritokracisë.

5. Përsëris sot angazhimin tim para studentëve shqiptarë se me qeverinë e re të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ne do të paguajmë 10 mijë stazhe 12 mujore për studentët më të mirë çdo vit.

6. Grante për Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, është angazhimi tjetër i qeverisë tonë për modernizimin e infrastrukturës fizike e pedagogjike. Ofrimi i arsimit të lartë të digjitalizuar, me investim në vlerën 36 milionë euro, me fokus laboratorët e parqet e teknologjisë së informacionit, zona me internet falas dhe pajisje të teknologjisë së informacionit, që do të përdoren falas nga pedagogët dhe studentët pa pagesë.

7. Një vend të veçantë në platformën tonë ka financimi i dedikuar për gratë dhe vajzat në sektorët me përparësi të lartë.

Të dashur qytetarë shqiptarë. Në mënyrë të përmbledhur këto janë disa prej pika kryesore të planit tonë të arsimit. Ky është plani ynë për të ardhmen e Shqipërisë. Me këtë plan, Shqipëria fiton! Me këtë plan, shqiptarët fitojnë, sepse ne mund të bëjmë më shumë!"