Që në mesnatë, LDK në Kosovë fillon e para fushatën zgjedhore

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën e saj për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, përmes një video-materiali në të cilin kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie Avdullah Hoti shpalosi zotimet dhe prioritetet e tij për mandatin qeverisës të vendit.

Sonte në 00:00 edhe zyrtarisht ka nisur afati për fushatën e subjekteve politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat do të mbahen pas vendimit të Kushtetueses për rrëzimin e Qeverisë Hoti, njofton RTK.

LDK në këto zgjedhje kandidat për kryeministër ka Avdullah Hotin, i cili tha se programi i kësaj partie ofron zgjidhje konkrete dhe se prioritet do të jetë shëndetësia, vaksinimi kundër COVID-19, sigurimet shëndetësore, sistemi informativ shëndetësor dhe modernizimi i pajisjeve mjekësore.

Prioritet tjetër do të jetë arsimi, për të cilin Hoti tha se do të ketë rritje të pjesëmarrjes në arsimin parashkollor, uljen e numrit të nxënësve për klasë, implementimi i mësimit gjithë ditor, forcimi i arsimit profesional, ngritja e cilësisë në arsim të lartë dhe promovimi i shkencës.

Hoti një tjetër zotim ka dhënë investimet në fuqizimin e rinisë, punë praktike me pagesë, grante për biznese për të ri, bursa për talente, zhvillimin e turizmit, mbështetja për kulturën dhe artistët.

Në aspektin ekonomik ai tha se do të ketë lehtësim të kushteve të kredive, subvencionim i normave të interesit, grante për biznese, fiskalizim digjital dhe liberalizim i tregut të energjisë, si dhe do të mbështesin bizneset inovative.

“Do të mbështesim bujkun dhe prodhuesin me shumë më tepër subvencione dhe grante, të orientuara kah prodhimi, me procedura transparente. Do të rrisim sipërfaqet bujqësore nën ujitje. Do të përmbyllim rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët dhe trajtimin e ujërave të zeza. Zotohemi të digjitalizojmë të gjitha shërbimet publike në afat rekord, që të evitojmë çdo burokraci ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, nën qeverisjen e LDK-së, prokurimi publik do të jetë plotësisht elektronik, transparent dhe me standarde të reja, Odat dhe shoqatat profesionale do të marrin rol me ligj në zbatimin e politikave ekonomike dhe sociale, ndërsa paga minimale do të jetë 300 euro.

“Paga minimale do të jetë 300 euro pa dallim moshe. Zotohemi të heqim kufizimin prej 15 vitesh për pensionet kontribut-dhënëse. Nuk do të ketë pensione nën pagën minimale nga viti 2023. Asistenca sociale do të bazohet në shpenzimet e jetesës. Do të ofrojmë kujdes institucional për personat me nevoja të veçanta. Për të siguruar shtet ligjor plotësisht funksional, do të nisim vettingun në drejtësi që do të rrisë efikasitetin dhe transparencën në drejtësi. Me partnerët tanë, do të sjellim gazin në Prishtinë dhe do ta lidhim Prishtinën me Durrësin me hekurudhë”, ka thënë Hoti.