Rama i kundërpërgjigjet ashpër zyrtarit të lartë të BE-së: Nuk e njoh, furnizohet nga SHQUP-i

Pas një pyetje të drejtpërdrejtë nga gazetarët, Edi Rama, komentoi sot gjatë një konference për herë të parë deklaratat e Koordinatorit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian, Michael Gahler, i cili i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë të mos përgojojë BE-në por të plotësojë kushtet për anëtarësim.

‘Unë nuk e njoh dhe nuk kam përse t’i përgjigjem. I marrë me rezervë citimet. Këto të gjitha që rreshtove janë përrallë nga e kaluara. Nuk kanë lidhje me realitetin’, iu përgjigj Rama fillimisht, pyetjes së gazetares.

Duke iu referuar Gahler-it, Rama vazhdoi me akuza ndaj zyrtarit të lartë të BE-së, duke thënë  se këta janë mësuar të flasin kështu sepse dezinformohen nga kanalet e Shqup-it në Tiranë.

‘Si mund të përdoret njëherë termi përgojim?! Këto të gjitha janë përgojime krejtësisht të pabazuara në fakte të vendit tonë. Për këto nuk fajësoj Koordinatorët e BE. Unë e di kush është fajtori. Janë ata që nxjerrin rrugëve të botës tërë llafet e zeza për Shqipërinë.

Duan të vijnë në qeveri me pseudo-programe që janë ofendim i madh i njerëzve. Nuk kam përgojuar BE-në, kam thënë atë që thonë sot të gjithë. I dëgjoni çfarë thonë? E dëgjoni çfarë thotë presidentja e KiE? Kjo situatë u krijua nga një qasje dritëshkurtër e palogjikshme, urdhëro ku janë rezultatet.

Nuk ka nevojë ta mbrojë asnjë koordinator i PE nga unë. Këta janë mësuar të flasin kështu sepse për fat të keq furnizohen nga Tirana, ushqehen nga Tirana. Mbështeten nga Tirana. Prandaj janë mësuar të flasin kështu. Edhe nuk kanë minimumin etik kur hapin gojën. Për kë flet ai për shokun e vet?! Do na tregojë se ne nuk meritojmë vaksinën pse nuk kemi dakordësi për zgjedhjet e 2019-ës?

Apo do na mësojmë që ne nuk meritojmë të vaksinohemi njësoj si në Gjermani dhe në Francë pse nuk kemi rënë dakord për 5 qershorin. Për fat të keq janë produkt ‘Made in Albania’, dezinformim dhe manipulim i njëanëshëm. Për ca jemi ne këtu, të hamë barë dhe të mos hapim gojën kur shohim një fakt. Mos harroni që jeni shqiptarë në radhë të parë!’, tha Rama.