Greqia në gatishmëri për variantet e reja të koronavirusit

Athinë - Autoritetet shëndetësore dhe shkencëtarët janë në gatishmëri për përhapjen e dukshme të variantit britanik të SARS-CoV-2 dhe zbulimin e variantit të Afrikës së Jugut në Greqi.

Që nga e hëna, autoritetet në vend kishin konfirmuar një total prej 173 rastesh të origjinës britanike të virusit B.1.1.7 që ishin identifikuar në Atikë, Kretë, Greqinë Veriore dhe Patras si dhe një rasti nga mutacioni afrikanojugor B.1.351 në Selanik.

Rasti i dhjakut në Selanik, i cili ishte infektuar nga varianti i Afrikës së Jugut dhe thuhet se kishte qënë më parë i infektuar me Covid-19, gjithashtu ngre pyetje nëse lloji i ri mund t'i shpëtojë reagimit  imunitar të trupit të krijuar nga infeksioni ose vaksinat. Ekspertët, megjithatë, japin siguri duke theksuar se ka prova të forta se vaksinat e ARN-së ofrojnë mbrojtje të përshtatshme.

Por edhe në rastin e riinfeksioneve, rezultati më i mundshëm është një infeksion i dytë shumë i lehtë.

"Rasti i Selanikut, nëse konfirmohet, do të jetë një shembull tipik se riinfeksionet nga variante të ndryshme të koronavirusit të ri janë të mundshme," i tha Kathimerinit, profesori i Shkollës Mjekësore të Athinës Athanassios Tsakris.

"Ne thjesht po supozojmë - dhe shpresojmë - që këto do të jenë më të lehta, siç është rasti, në një farë mase, me infeksione të përsëritura nga llojet endemike të koronavirusëve me të cilët kemi rënë në kontakt që nga fëmijëria."

Sipas profesorit, pyetja thelbësore është nëse antitrupat neutralizues, të prodhuar ose përmes infeksionit natyror ose pas vaksinimit, mund të identifikojnë në mënyrë adekuate variante të reja të mutuara të virusit.