36 raste të reja në qarkun e Beratit/ Mes të infektuarve mësues, nxënës, oficerë policie dhe mjek

Midis 36 rasteve të të prekurve me Covid-19 në qarkun e Beratit, të raportuara ditën e sotme nga Ministria e Shëndetësisë, rezultojnë të jenë në masën 75% raste kontakte familjare. Të shpërndara sipas qyteteve: 16 në Berat, 14 në Kuçovë, 4 në Skrapar, 1 në Urë-Vajgurore dhe 1 Poliçan, 29 raste janë kontakte familjare të rasteve të mëparshme. Edhe sot nuk kanë munguar rastet e të infektuarve në shkolla, polici dhe shëndetësi, ku regjistrohen të infektuar: mësues, nxënës, oficerë policie dhe mjekë.

Mes të prekurve të ditës së sotme raportohen: -1 mësues në shkollën e mesme "Irfan Ngjeqari" në Berat, 1 mësues në shkollën e mesme "Muhamerr Janina" në Urë-Vajgurore, 1 mësues në shkollën 9-vjeçare në fshatin Sinjë, 1 nxënës në shkollën 9-vjeçare në fshatin Mbrakull, 1 specialist në Drejtorinë Arsimore Berat, 1 oficer policie në DPV Berat dhe 1 mjeke në Bankën e gjakut në Tiranë.

Burime zyrtare pranë Njësisë Vendore të Shëndetit Publik në Berat bëjnë me dije, se që prej 1-muaji në të gjithë qarkun e Beratit nuk ka pasur raste të rënduara me Covid-19, ndërkohë që aktualisht në Repartin Covid-19 në Spitalin e Beratit raportohen 11 persona të shtruar, pa komplikacione të rënda. Ndërkohë që numri i rasteve është duke u rritur ndjeshëm numri i rasteve aktive në qarkun e Beratit ka arritur në 821.