Bartomeu përgjigjet për pagën e Messit: I meriton të ardhurat që fiton

Dalja e të dhënave mbi pagën e Lionel Messit, ka turbulluar jo pak ambientin te Barcelona, teksa vetë drejtuesit katalanas reaguan ashpër ndaj zërave se ylli argjentinas i ka shkaktuar një dëm ekonomik të jashtëzakonshëm arkave të klubit.

Në mediat spanjolle po aludohet se shifrat e 555 milionë eurove të arkëtuara nga argjentinasi në harkun kohor të 4 viteve, janë servirur në media nga ish-presidenti i Barcelonës, Joseph Bartomeu, i cili ka pasur përplasje të shpeshta me Messin.

Megjithatë vetë Bartomeu, i cili dha dorëheqjen në muajin tetor, para se të organizohej një referendum për shkarkimin e tij, mori në mbrojtje Messin dhe tha se ai meriton çdo qindarkë që fiton nga kontrata e tij me Barcelonën.

“Leo meriton ato që fiton, qoftë për motive profesionale, qoftë për ato komerciale. Pa pandeminë Barcelona mund ta paguante pa problem atë shifër. Është një problem shumë serioz dhe e paligjshme të publikosh detajet e kontratës me një profesionist. Të flasësh në televizion dhe të bësh akuza është e lehtë, por e gjithë kjo mund të përfundojë në gjykatë”, u shpreh Bartomeu.