Pirlo: Humbja me Interin na mësoi shumë, në Kupë do jemi ndryshe

Kanë kaluar pak më tepër se dy javë nga ajo humbje pa lënë asnjë gjurmë ndaj Interit në “San Siro” dhe Juventus do të rikthehet sërish në Milano, këtë herë për t’u përballur me zikaltrit në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë.

Trajneri i bardhezinjve, Andrea Pirlo doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku tha se skuadra ka mësuar shumë nga humbja e para dy javëve ndaj zikaltërve dhe do të provojë të japë përgjigjet e duhura nesër në fushë.

“Ajo humbje na mësoi shumë gjëra. Na kujtoi mbi të gjitha se nëse nuk futemi në rrugën e duhur, nuk jemi vetvetja dhe që nga ajo ndeshje, kemi bërë paraqitje mjaft të mira. Megjithatë kjo nuk do të thotë që të rehatohemi, pasi jemi në fillim të rrugëtimit tonë të rikthimit dhe kemi shumë punë për të bërë. Interin e njohim mirë dhe e dimë se është një skuadër që di të rreshtohet mirë mbrapa dhe të zbresë shpejt në kundërsulm”, u shpreh Pirlo.

Pavarësisht se luhet një ndeshje Kupe, fakti që përballë është Interi, e detyron Conten të mos bëjë shumë ndryshime në formacion, teksa nga minuta e parë janë konfirmuar Buffon e De Ligt, por edhe Cristiano Ronaldo e Morata.

“Do të bëjmë ndonjë ndryshim, por jo shumë, pasi është një ndeshje që duam ta fitojmë. Buffon dhe De Ligt do të luajnë nga minuta e parë, ashtu si Ronaldo e Morata. Ky i fundit është një qendërsulmues modern, që lëviz në të gjithë hapësirën e sulmit dhe jemi të lumtur që e kemi. E vetmja mungesë për nesër është ajo e Ramsey, që ka një problem të vogël dhe duam ta rikuperojmë për ndeshjen e të shtunës”, tha tekniku bardhezi.