Ndahet nga jeta themelues i informatikës në Shqipëri

Kristian Bukuroshi ishte matematicien me profesion, dhe njihet si themelues i Institutit të Informatikës në Shqipëri.

Bukuroshi ka punuar si mësues dhe profesor në disa institucione në Shqipëri dhe Kosovë, mësimëdhënës në Kanada, dhe paralelisht me këtë të fundit, edhe veprimtar në komunitetin shqiptaro- kanadez.

Para se të emigronte në Kanada, Kristian Bukuroshi ishte i njohur për kontributin e tij në fushën e shkencave ekzakte dhe hedhjen e hapava të parë të Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit në Shqipëri.

Në vitin 1971, ai ishte themeluesi i Qëndrës së parë kompjuterike në Shqipëri, si dhe drejtor i saj nga dita e themelimit deri në vitin 1992. Prej vitit 1985 deri në vitin 1992, Bukuroshi ka qenë projektues, themelues dhe drejtues i Institutit të Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar (INIMA), që njihet si paraardhësja e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit në Shqipëri.

Që prej ardhjes në Kanada para dy dekadash, Kristian Bukuroshi, pervec në mësimdhënie në sistemin e edukimit kanadez, i ishte gjendur pranë komunitetit shqiptar në Toronto, duke dhënë kontributin e tij të çmueshëm në Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze të Torontos, ku ishte anëtar i saj i përhershëm.

Mbeten në kujtesë angazhimi i tij i palodhur, vullneti për shqiptarët e bashkuar, dhe idetë e tij të çmuara për organizimin sa më të mirë të komunitetit.

Komisioni i matematikës dhe informatikës pranë Akademisë së Shkencabe njofton me dhimbje se është ndarë nga jeta matematikani i njohur Kristian Bukuroshi, personalitet që ka lënë gjurmë prej themeltari në veprimtarinë universitare dhe në ngritjen e funksionimin e institucioneve të para të matematikës së zbatuar.

Në emër të bashkësisë së studiuesve të Akademisë së Shkencave u shprehim ngushëllime familjes dhe të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve të tij të shumtë, profesoratit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, bashkësisë së punonjësve të shërbimit të informatikës, brezave të studentëve që përgatiti ndër dekada. Kristian Bukuroshi është themelues i disiplinës së analizës së matematikës në katedrën e matematikës së specialitetit, ku ushtroi veprimtarinë si profesor universiteti.

Kjo është lënda bazë e formimit të brezave të mësimdhënësve të matematikës në shkollat e mesme dhe universitare, si dhe të matematicienëve. Ai do të mbahet mend si një nga pedagogët më të aftë e më rigorozë, si vetë disiplina që mbante në katedër. Për kontributet e tij cilësore ai renditet pa mëdyshje ndër përfaqësuesit më të denjë të kësaj fushe në brezninë që i takon.

Kristian Bukuroshi themeloi e drejtoi qendrën e parë kërkimore në informatikë në Shqipëri (qendra e matematikës llogaritëse), mbi bazën e së cilës realizoi të gjitha përgatitjet e nevojshme intelektuale dhe profesionale për ngritjen e të parit institut të kësaj fushe në vendin tonë, INIMA (Instituti i Matematikës së Aplikuar), të cilin e drejtoi për një kohë të gjatë dhe me shumë sukses. Krijimi i këtij instituti u realizua mbi bazën e një projekti që fitoi vëmendjen dhe mbështetjen financiare të UNDP, i pari projekt në Shqipëri realizuar me buxhet nga një organizatë ndërkombëtare. Në krye të INIMA-s, si drejtori më jetëgjatë i saj, Kristian Bukuroshi arriti të krijojë një bashkëpunim të suksesshëm ndërdisiplinar të informatikës, matematikës, energjetikës, gjeofizikës, statistikës, ndërtimtarisë, duke vënë bazat e arkivimit të numerizuar të projekteve të tyre. Nën drejtimin e Kristian Bukuroshit u realizuan dy regjistrime të popullsisë dhe banesave në Shqipëri, që janë konsideruar aksione shkencore kombëtare, duke punuar intensivisht me tri ndërresa dhe me një mbështetje logjistike modeste. Nën drejtimin e Kristian Bukuroshit shërbimi që drejtoi njohu një hapje të kujdesshme me botën.

U prehtë në paqe. Disa nga veprat e tij (monografi, tekste, artikuj) janë:

1. Studimi i qëndrueshmërive statike e dinamike të sistemit energjetik kombëtar dhe aplikimi konkret i tyre.

2. Studimi i plotë i avarive të Sistemit energjetik dhe përmirësimi i skemave të mbrojtjes së tij.

3. Shpërndarja racionale e ngarkesave elektrike, e niveleve të tensioneve, si dhe e flukseve të rrymave elektrike në sistemin energjitik shqiptar.

4. Problemet e kurbave të sigurisë dhe shfrytezimi racional i konsumit ujor në kaskadën e lumit Drin.

5. Studimi, konceptimi e ndërtimi konkret i ndërfaqes software, për emulimin e pajisjes periferike të leximit të shiritit magnetik me makinën llogaritëse elektronike DJS21.

6. Modifikime eventuale të kompilatorit Algol 60, duke shtuar në të procedura të reja./ ampress.ca/