Pronarët e Interit ndërpresin bisedimet për shitjen e aksioneve

Një pikë kthese e bujshme ka ndodhur në negociatat për shitjen e Interit.

Grupi kinez Suning, në një reagim për Agjencinë Italiane të Lajmeve “Ansa”, ka theksuar se ka ndërprerë bisedimet me fondin britanik BC Partners.

“Bisedimet me BC Partners janë ndërprerë prej thuajse 10 ditësh, pasi nuk kanë qenë kushtet për vazhdimin e negociatave për gjetjen e një investitori të ri për klubin. Aktualisht po vijojmë hulumtimet nëpërmjet bisedimeve me fonde të tjera të rëndësishme, që kanë shprehur interes”, thuhet në reagimin e Suning.

Pas refuzimit të Suning besohet se fshihet një dallim i madh mes vlerës së aksioneve dhe vlerësimit të përgjithshëm të klubit, por gjithashtu edhe ekspozimi i madh mediatik i fondit BC Partners.

Të premten ka përfunduar edhe ekskluziviteti që kishte fondi britanik për blerjen e aksioneve zikaltër dhe tani grupi Suning ka nisur të bisedojë edhe me fonde të tjera që kanë shfaqur interes për aksionet e Interit, mes të cilëve suedezët e EQTe dhe amerikanët e Arctos.