FOTO/ Presidenti Meta mirëpret Kombëtaren e Regbisë: Kemi një ekip ambicioz

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka mirëpritur ekipin Kombëtar të Regbisë.

Kreu i shtetit ka deklaruar se është një ekip kombëtar shumë ambicioz dhe i ka komplimentuar për përpjekjet e palodhura për masivizimin e këtij sporti në vendin tonë.

Këtë lajm e ka publikuar vetë Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

“Në Shqipëri, prej vitesh, luhet edhe sporti i bukur i regbisë, që çdo ditë e më shumë tërheq vëmendjen e të rinjve të apasionuar.

Tashmë, ne kemi edhe një Ekip Kombëtar, shumë ambicioz, me përfaqësues të të cilit pata sot kënaqësinë të takohesha dhe t’i përgëzoja për përpjekjet e palodhura për masivizimin e këtij sporti në vendin tonë.

I përgëzova për kontributin e dhënë në këtë drejtim, veçanërisht për afrimin e të rinjve me sportin dhe largimin e tyre nga veset.

U njoha me vështirësitë, që hasin, sidomos sa i përket ambienteve të stërvitjes, por ndamë mendimin se 25 prilli do të çelë një perspektive të re edhe për sportin shqiptar, për të mos lejuar më, që fushat dhe terrenet sportive të shndërrohen në sheshe për ndërtimin e kullave.

Sigurisht do të jem një tifoz i zjarrtë edhe i kuqezinjve tanë në regbi, besimplotë se do të arrijnë shumë shpejt rezultate të shkëlqyera në përballjet ndërkombëtare”, shkruan Presidenti Meta në statusin e tij në Facebook.