Veterani i famshëm britanik që mblodhi 33 milionë paund për mjekët, shtrohet në spital me COVID

100-vjeçari veteran i Luftës së Dytë Botërore, Tom Moore, i cili u bë i famshëm në ditët e para të pandemisë së koronavirusit për mbledhjen e fondeve për Shërbimin Kombëtar të Shëndetit të Mbretërisë së Bashkuar, u shtrua të dielën në spital me COVID-19.

Vajza e tij në një postim në Twitter tha se kapiteni ishte shtruar në spital pasi kishte dalë pozitiv me koronavirus, njofton VOA. Ajo tha se ai po trajtohet në një pavijon, jo në një njësi të kujdesit intensiv.

Gjatë muajit prill të viti të kaluar, veterani i Luftës së Dytë Botërore u bë emblemë e shpresës, teksa ai bëri 100 xhiro rreth kopshtit të tij në Angli për të mbledhur fonde për mjekët.

Qëllimi i tij fillestar ishte të mblidhte 1000 paund, por veprimi i tij u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe nga kjo iniciativë arriti të mbledh 33 milionë paund për stafin mjekësor.