Papa me Imamin e Madh do të përkujtojnë Ditën e parë Ndërkombëtare të Vëllazërimit

Papa Françesku do të përkujtojë Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor me Imamin e Madh të Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyeb, në një takim virtual më 4 shkurt, datë e zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për këtë rast. Takimi do të mbahet në Abu Dabi, në praninë e Shehut Mohammed Bin Zayed, njoftoi Radio Vatikani.

Kremtimi i Ditës së parë Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor, themeluar më 21 dhjetor 2020 nga OKB-ja, për kujtim të nënshkrimit të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor për Paqen botërore e Bashkëjetesën , do të bëhet virtualisht me pjesëmarrjen e Papës Françesku,  që ishte nënshkruesi e shpirti i këtij teksti, së bashku me Imamin e madh  të Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyeb. Një dokument, që u shkrua pothuajse gjatë një viti e gjysëm.

Papa e Imami i madh: Deklaratë historike për Paqen, lirinë e të drejtat

Të enjten, më 4 shkurt, do të mbahet takimi virtual, i transmetuar në streaming në disa gjuhë, duke nisur nga ora 14.30 (me orën evropiane), 13.30 (GMT), nga Vatican News, përhapur nga Vatican Media. Në nismën e organizuar nga Shehu Mohammed Bin Zayed, në Abu Dabi, do të marrin pjesë si Papa, ashtu edhe Imami i Madh i Al Azhar, por edhe Sekretari  i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres si dhe personalitete të tjera të rëndësishme.

Në të njëjtën ditë do të dorëzohet edhe Çmimi Zayed për Vëllazërimin Njerëzor, frymëzuar nga Dokumenti me të njëjtin titull, themeluar pak muaj pas nënshkrimit të tij, më 4 shkurt 2019. Me këtë çmim do të nderohen ata, që dallohen për angazhim të vazhdueshëm në favor të vëllazërimit njerëzor.