Historia e balenës në Muzeun e Shkencave të Natyrës në Tiranë

Historia e balenës (Ph. macrocephalus), skeleti i së cilës gjendet i ekspozuar në Muzeun e Shkencave të Natyrës, daton në vjeshtën e vitit 1958. Një anije peshkimi teksa kthehej nga gjuetia, afër portit të Durrësit, kishte ndeshur një grup prej 8 balenash. Peshkatarët fillimisht ishin trembur kur kishin parë kafshët gjigande, por pastaj e kishin kuptuar se kishin të bënin me balena, njofton Qendra Kërkimore e Florës dhe Faunës
Nuk kishte dyshim se balenat kishin humbur rrugën dhe kishin hyrë gabimisht në Mesdhe e më pas në detin Jon dhe atë Adriatik.

U mendua se dy ishin shkaqet që balenat kishin përfunduar në Adriatik. Shkaku i parë ishte ai i ndjekjes së tufave të peshqve, me të cilët ato ushqeheshin e që kishin bërë që të humbisnin rrugën.

Kjo lloj balene jeton në Oqeanin Atlantik, familja prej 8 anëtarësh mund të kishte ngatërruar rrugën duke ndjekur rrymat detare dhe padashje kishte kaluar ngushticën e Gjibraltarit duke hyrë në Mesdhe e më pas në Jon dhe Adriatik. Ky mund të ishte shkaku i dytë.

Balenat ndoqën pas anijen e peshkimit teksa ajo lundronte që të hynte në port dhe ngecën në rërën e detit e nuk kishin mundësi të ktheheshin më mbrapsht. Balenat pasi kishin ngecur në cektinë kishin ngordhur. U propozua që ato të tërhiqeshin deri në breg me litarë apo me cima detare.

Gjatë kësaj kohe pati shumë vizitorë në portin e Durrësit, për shkak të kureshtjes së madhe për të parë balenat; qytetarë, jo vetëm të Durrësit por edhe qyteteve përreth, nxënësit e shkollave, profesorë të universiteteve që bënë edhe studime për këtë rast, etj.

Pas nxjerrjes së tyre në bregdet u mendua për largimin e tyre që andej, pasi nisi edhe procesi i kalbëzimit të tyre dhe nisi të ndihej erë e rëndë. Thuhet se 7 prej 8 balenave kishin përfunduar në fabrikën e ekstrataninit “Ernest Telman” në Vlorë, për tu kthyer në vaj dhe në parafinë për të prodhuar qirinj.

Skeleti i individit më të vogël u mendua të vendosej në Muzeun e Shkencave të Natyrës, në të cilin gjendet edhe sot i ekspozuar.