Me taksën e sheshtë, Shqipëria fiton

Në mesin e pandemisë dhe depresionit ekonomik, Partia Demokratike ofron një plan qeverisës për të nxjerrë vendin nga  kriza dhe për të fituar Shqipërinë. Nuk është një slogan elektoral, as një premtim në ajër, por është ajo që kanë kërkuar njerëzit në këto dy vite konsultime e diskutime, për të fituar Shqipërinë, për t’ua hequr atë nga duart një klike zhvatësish dhe përfituesish kronikë.

Realiteti i financave publike në Shqipëri është i trishtë dhe reflektohet në përditshmërinë tonë. Treguesit makro janë në përkeqësim të vazhdueshëm, duke paraqitur gjendjen më të keqe që nga fillimi i tranzicionit. Borxhi publik është rritur dhe ai është përdorur në mënyrë të pakujdesshme dhe joeficente. Borxhi nuk është përdorur për investime dhe as për sektorët prioritarë të vendit, por për të mbajtur shpenzimet imediate të buxhetit dhe mbi të gjitha për të paguar PPP-të. Këto të fundit janë kërcënimi më imediat për xhepat e çdo shqiptari. Konsumi është në rënie, pesimizmi për ekonominë është në rritje, gjithashtu në rritje janë dhe çmimet e produkteve parësore të konsumit po ashtu edhe çmimi i energjisë elektrike, karburantit, tarifave të arsimit dhe për rrjedhojë jeta është më e shtrenjtë, të ardhurat në rënie.

Çfarë na solli në këtë gjendje? Një sistem i korruptuar ekonomik që ka ngritur në piedestal padrejtësinë, ka promovuar pandershmërinë dhe ka diskriminuar meritokracinë.

Një sistem i ngritur jo mbi interesin kombëtar, por mbi interesat e ulëta të një klike grabitësish. Sistemi aktual i taksimit të individit dhe sipërmarrjes promovon hilenë, abuzimin me pushtetin, korrupsionin dhe shpenzimet e kota.

Ky sistem e ka kthyer qytetarin në bujkrobin e qeverisë. Për pasojë, fitojnë vetëm 3% e shqiptarëve apo sipërmarrjeve në kurriz të shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Zhbërja e këtij sistemi ekonomik është kthyer në një emergjencë kombëtare për të shpëtuar Shqipërinë.

Për herë të parë, një forcë politike që vjen në qeverisje ka një agjendë pozitive dhe ka vendosur në qendër të politikave individin dhe familjen dhe jo shtetin. Partia Demokratike është një forcë e djathtë dhe beson te liria e tregut, te konkurrenca, tek investimi në dije e arsim dhe beson te forcimi i individit. Te një familje e shëndoshë dhe e shëndetshme që merr më shumë të ardhura dhe i shpenzon apo menaxhon më mirë sesa një qeveri e madhe. Gjithashtu, besojmë te mundësi për të gjithë, te shanse për të gjitha shtresat dhe te mobiliteti social si një proces tërësisht i mundshëm për të çuar përpara vendin.

Sigurisht që idetë e majta e të djathta kanë koncepte të ndryshme për rolin e shtetit dhe individit, por sistemi i ngritur nga kjo qeveri nuk është i majtë dhe as tërësisht progresiv në natyrë. Përkundrazi, është një sistem klientelist që favorizon me politika ekonomike dhe fiskale disa individë apo biznese në kurriz të një politike represive për shumicën. Nuk mund të ketë biznese me taksa zero, nuk mund të ketë shfrytëzim pasurish me taksë zero, nuk mund të ketë biznese që kanë kapur shtetin dhe sot imponojnë çdo politikë në kurriz të Shqipërisë.

Shqipëria ka humbur shumë nga ky sistem i ngritur, ka humbur investime të huaja e punësim, ka humbur mundësi për tregje të reja, ka humbur dhe po humb dijen.

Pa dyshim, ne jemi të ndërgjegjshëm që Shqipëria nuk mund të jetë ekonomia më e madhe në Europë. Por jemi të bindur që nëse ne rikonceptojmë dhe ndërtojmë një sistem të ri se si funksionon shteti përmes reformave rregullatore dhe strukturore që do të imponojnë një shtet ligjor dhe do përjashtojnë çdo diskredicion apo interpretim, por dhe duke mundësuar parashikueshmëri dhe stabilitet legjislativ mund të përfitojmë shumë.

Për këtë arsye, Lulzim Basha ka prezantuar një plan ekonomik, i cili i heq atij pushtet si Kryeministër i ardhshëm për t’u dhënë më shumë mundësi dhe pushtet institucioneve të tjera dhe individit. Zotimi dhe votimi i Kodit Tatimor është një akt më se i domosdoshëm për të çliruar biznesin nga situata kaotike e gjithë këtyre viteve. Në të do të përshkruhen parimet dhe rregullat bazë fiskale duke eliminuar çdo interpretim abuziv nga çdo qeveri dhe Kryeministër. Në të do të ketë një paraqitje të rregullave bazë fiskale, mbi të cilat do të ngrihet e gjithë ekonomia e Shqipërisë pas 25 prillit 2021, të cilat nuk do të ndryshojnë në katër vite të qeverisjes dhe do të ofrojnë atë që Shqipëria vuan, parashikueshmërinë.

Ne do ta zhbëjmë këtë zgjedhë fiskale duke ndërtuar një sistem ekonomik më të drejtë, që shpërblen punën dhe sipërmarrjen.

Ne do të vendosim në qendër të sistemit të ri qytetarin dhe familjen.

Në fushën e taksave ne do të zhbëjmë një sistem progresiv, për t’i lënë vendin taksës së sheshtë 9%. Një sistem fiskal i thjeshtë që nuk lë hapësirë për interpretim, favorizim, për trajtim preferencial që do të vlerësojë punën e këdo që punon e investon në Shqipëri.

Do ta shndërrojmë një sistem të komplikuar me 7 nivele taksimi që i ka kthyer bizneset dhe individët në akrobatë për t’iu shmangur taksave dhe për të gënjyer qeverinë në një sistem të drejtë dhe pa koklavitje. Kështu do të shpëtojmë përfundimisht edhe vetë familjarët e ministrave dhe ish-ministrave që regjistrohen si persona fizikë që të evitojnë pagesën e taksave, sepse ligji lejon dredhira të tilla, ndërkohë që avokatë, juristë, profesionistë, ekonomistë paguajnë gjobën prej 23% që kjo maxhorancë dhe ky Kryeministër u ka rezervuar shqiptarëve.

Ne duam një shoqëri ku secili kontribuon në mënyrë të barabartë, por dhe përfiton më shumë ai që ka një nevojë më të madhe. Varfëria në vend është rritur, ndërkohë që megjithëse shqiptarët kanë pësuar rritje të taksave me 3 miliardë euro në 8 vite, kthimi i tyre tek ato është 0. Më pak investime në shëndetësi, një sistem arsimor i denjë për mesin e shekullit të kaluar dhe gjithnjë e më pak investime publike. Shqiptarët marrin më pak të ardhura, paguajnë më shumë taksa dhe në përfundim përfitojnë gjithnjë e më pak nga taksat e tyre që i janë rezervuar vetëm për 3%. Kjo pabarazi duhet të marrë fund!

Ne besojmë se pabarazia e një shoqërie mund të zhbëhet duke u luftuar burimi i saj. Prandaj kemi vendosur të forcojmë shtresën e mesme që për 8 vite është varfëruar përherë e më shumë duke zhytur edhe më në varfëri pjesën më të varfër të Shqipërisë.

Synimi i planit ekonomik në qeverisje të PD është që të lehtësojë politikat fiskale dhe të riorientojë ekonominë drejt prodhimit dhe ofrimit të shërbimeve. Për këtë duhet mbështetur shtresa e mesme e cila do të përfitojë nga rritja e të ardhurave për to dhe familjet e tyre, njëkohësisht biznesi do të mund të përfitojë nga ulja e taksave. Bizneset e mëdha do të kenë ulje të taksave nga 15% në 9% të tatimfitimit. Punëdhënësit do të kenë një taksë të sheshtë edhe në kontributin e sigurimeve shoqërore dhe kjo do të mundësojë rritjen e pagave dhe investimin tek punonjësit.

Mbi 700 mijë të punësuar do të mund të përfitojnë drejtpërdrejt nga këto politika fiskale dhe nga një sistem i ri që do të ngrihet pas 25 prillit. Në terma afatgjatë, në vitin 2030, ne besojmë se do të kemi dyfishuar të ardhurat për frymë dhe kjo do të thotë më shumë të ardhura për qytetarin dhe familjen e tij. Kur familja fiton, kur qytetari fiton, atëherë Shqipëria Fiton.

Me gjithë skepticizmin e shumë prej jush për këto objektiva, të cilin e mirëkuptoj pasi nuk ka qenë në zakonin e politikës shqiptare të ketë çdo gjë të llogaritur në laps  e letër, do dëshiroja të sqaroja veçorinë e këtij plani. Ndryshe nga çdo forcë tjetër që ka ardhur në qeverisje, Partia Demokratike ka përllogaritur çdo efekt të këtyre politikave. Më konkretisht, ky dyfishim i të ardhurave mund të arrihet me një rritje ekonomike reale prej 5,5% dhe me deflator 2,55. Kushdo ka kundërshti, mund të ulet e t’i bëjë llogaritë.

Natyrisht, shumë mund të jenë skeptikë për aftësinë për të arritur këtë rritje reale ekonomike. Megjithëse ne kemi treguar në vazhdimësi që kemi një vullnet të hekurt politik për të arritur aty ku jemi zotuar. Prandaj, sado që keni benefitin e dyshimit, nuk duhet të harroni të na gjykoni vetëm pasi të na keni besuar, sidomos kur plani është një ndryshim rrënjësor i sistemit dhe jo premtime bombastike fushate.

Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që me disa reforma të thjeshta si në financat publike, në rritjen e transparencës, me politikat e uljes së taksave dhe thjeshtimin e sistemit të nxisë prodhimin dhe të tërheqë Investimet e Huaja Direkte. Shqipëria mund të kthehet në portën hyrëse të investimeve në rajon. Një potencial i jashtëzakonshëm që sot po vidhet, po humbet.

Por të mos harrojmë që tempi i reformave do të përshpejtojë dhe proceset integruese. Të gjitha vendet që kanë ndjekur planin e propozuar prej nesh kanë përjetuar rritjen e tyre më të madhe në standardin e jetesës si dhe kanë avancuar në proceset integruese.

Të gjithë jemi koshientë që sot nuk mund të vijnë investimet e huaja prej korrupsionit e cilësisë së jetës, mungesës së investimit në arsim, mungesës së përcaktimit të sektorëve prioritare, e mbi të gjitha dhe me mënyrën se si na koncepton sot rajoni dhe Europa. Si një qendër që është kthyer në port për kalimin e drogës e jo të investimeve reale.

Reformat e menduara dhe në sektorin e Doing Business për ta branduar Shqipërinë si një nga 30 vendet më të mira për të bërë biznes, do të ndryshojnë mënyrën e konceptin si funksionon shteti, dhe do të vendosë në qendër individin dhe biznesin.

E për t’u kthyer dhe te pjesa sociale, po, jemi parti e djathë, jemi për një treg të lirë e shtet të vogël, por mbas 30 vitesh tranzicion jemi akoma duke diskutuar varfërinë në rritje. Dhe për ta reduktuar këtë duhen reforma që targetojnë një nga një shtresat me të ardhura më të ulëta. Njihet në të gjithë vendet që qeverisen nga e djathta si politika të djathta me karakter social, një “konservatorizëm i dhembshur” si në Britani apo SHBA dhe një konservatorizëm social si në Gjermani.

Ku do të gjenden paratë? Në buxhetin e shtetit, nga reduktimi drastik i çdo korrupsioni që sot ka kapur për gryke administratën, që imponon ligje në Parlament. Paratë do të gjenden nga vendosja e rregullave të barabarta, nga formalizimi. Dhe për këtë Partia Demokratike ka bërë çdo llogari, ka analizuar gjithçka. Prandaj nuk kemi ardhur me një listë dëshirash, por me objektiva të mundshme. Kemi ardhur me një set reformash dhe me koston e tyre reale. Ka shumë skepticizëm sot te politika, prej dështimit të mbajtjes së premtimeve të 2013 dhe prej premtimeve bombastike, të cilat nuk u realizuan kurrë, për këtë arsye kemi qenë të kujdesshëm, kemi qenë konservatorë, kemi menduar se çfarë ka nevojë ekonomia dhe si mund të fitojë Shqipëria.

Shqipëria fiton ditën kur qeveria kthehet në një shërbëtore të qytetarëve.

Ne jemi të bindur se Shqipëria fiton kur punohet për portofolin e familjeve shqiptare duke ulur taksat dhe duke u dhënë mundësi që të kenë më shumë të ardhura për veten e tyre dhe familjen.

Dhe në fund të ditës është tregu, iniciativa e lirë është frymëmarrja që do japin reformat, është sistemi që do të ngremë me në qendër individin dhe familjen. Askush të mos t’i bëjë llogaritë me kutin e Ramës që po largohet bashkë me shojet e ndragura të këpucëve të tij.

Shqipëria fiton me këto propozime, qytetari fiton!/Botuar në gazetën "Panorama".