'Shqipëria fiton Shëndetësinë', Dr. Tabaku: Unë e njoh Lulzim Bashën, njeriu i duhur për të sjellë ndryshimin!

Ekspertja e PD, Mirela Tabaku, ka marrë fjalën sot në Prezantimin nga Partia Demokratike, të Programit "Shqipëria fiton Shëndetësinë".

"Të gjithë e kemi parë impaktin që solli në opinionin publik plani ynë ekonomik, - tha znj. Tabaku në fillim të fjalës. -  Njerëzit presin që ne të ofrojmë ndryshimin që i duhet kaq shumë vendit. Pas 8 vitesh dështim total, pas 8 vitesh fjalësh boshe, pas 8 vitesh që njerëzit dëgjojnë Ramën të flasë dhe nuk i besojnë asnjë fjalë që thotë, është koha që Rama të ikë.

Sot Lulzim Basha do të prezantojë shkurtimisht për ju planin e tij se si Shqipëria dhe shqiptarët do të fitojnë nga plani ynë i shëndetësisë.

Është një plan gjithëpërfshirës. Është plan serioz.  Është plan i zbatueshëm, një plan që ne të gjithë synojmë ta zbatojmë menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Ju të gjithë e shihni se çfarë ka bërë Rama me sistemin tonë shëndetësor në këto 8 vite.

Shqipëria ka nivelin më të ulur në rajon sa i takon shpenzimeve publike në shëndetësinë shprehur si % e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ndërkohë, Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon të pagesave nën dorë si perqindje e shpenzimeve për shërbimet shëndetësore.

Familjet shqiptare kanë buxhetin më të vogël për familje në rajon por, shpenzimet për shëndetësinë i kanë më të lartat.

Në tregun shqiptar qarkullojnë barna me cilësi dhe origjinë të dyshimtë.

Shqipëria ka numrin më të ulur të numrit të mjekëve për 1000 banorë në rajon, dhe ka një keqmenaxhim të shpërndarjes së burimeve njerëzore.

Pagat e mjekëve dhe infermiereve në Shqipëri deri në 2020 ishin më të ultat në rajon.

Shqipëria ka numrin rekord të mjekëve të larguar.

Shqipëria ka vdekshmërinë më të lartë foshnjore në rajon, një tregues i rëndësishëm i kujdesit shëndetësor.

Situata e COVID 19 tregoi më së miri gjendjen reale të sistemit tonë shëndetësor duke bërë gjithkënd të ndjeshëm ndaj këtij realiteti të së ashtuquajturës mjekësi falas.

Qytetarët shqiptarë nuk marrin shërbimin e duhur shëndetësor, shumë prej tyre nuk janë në gjendje të përballojnë çmimet e barnave që ju duhen për të mbrojtur shëndetin.

Ne kemi punuar bashkë me kryetarin e PD për një program që do të garantojë një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Ne kemi punuar bashkë për të ndërtuar plane pune që do të shpëtojnë jetë, përmirësojnë jetët tuaja, jetët e mjekëve dhe infermierëve tanë të shkëlqyer dhe kushtet e punës së tyre. Ata janë heronjtë tanë, ndaj ata meritojnë shumë më shumë.

Unë e njoh Lulzim Bashën dhe mund ta them me besim të plotë se ai është njeriu i duhur në kohën e duhur për të sjellë ndryshimin që i duhet kaq shumë vendit tonë.

Ne mund ta themi me bindje të plotë: ne kemi besim se Lulzim Basha do ta udhëheqë vendin tonë drejt një të ardhmeje më të mirë, një ekonomie më të mirë, një qeverie që kujdeset për qytetarët e saj."