Martini i zhgënjyer: Laçi fitoi prej gabimeve tona

I zhgënjyer Edi Martini. Trajneri i Teutës u shfaq i mërzitur pas humbjes që pësoi skuadra e tij ndaj Laçit, duke nënvizuar në “Supersport” se Teuta nuk e meritonte disfatën.

“Skuadra nuk e meritonte humbjen. Ishim të barabartë dhe po luanim më mirë deri në pësimin e golit prej një gabimi tonin. Deri atëherë Laçi nuk shkoi te porta. Më pas nuk ishim shumë këmbëngulës para portës, pavarësisht zëvendësimeve. Edhe pjesën e dytë e nisëm më mirë dhe kishim mundësi për të shënuar dhe më pas loja ra. Bëmë gabim në qarkullimin e topit, gabuam shumë në pasime dhe dhuruam topin.

Në sulm golat janë ato që bëjnë diferencën. Gabimet në mesfushë na futën në krizë dhe kjo është edhe arsyeja pse topi nuk shkoi shumë në sulm.

Nuk ishte një gabim te goli, por dy tre radhazi dhe ai rast na penalizoi shumë. Ishim në momentin më të mirë tonin dhe ata nuk na kishin rrezikuar shumë”, u shpreh Martini.