Shpëtim Duro e thotë me bindje se kush është lojtari më i mirë i Superligës shqiptare

Fitorja minimale ndaj Teutës, me golin e Mentor Mazrekajt, e ngjiti përkohësisht Laçin në vendin e dytë të Kategorisë Superiore.

Një sukses shumë i rëndësishëm për skuadrën e Shpëtim Duros, i cili në intervistën për Gol pas Goli zbuloi se Kyrian Nwabueze nuk do të gjuajë më penallti te Laçi, ndërkohë që thuri elozhe për Mentor Mazrekajn.

“Nuk ka të mëdhenj dhe të vegjël. Çdo ndeshje është e rëndësishme. Sigurisht ka gabime si barazimi me Skënderbeun dhe humbja me Apoloninë. Kjo është fitore shumë e rëndësishme ndaj një skuadre me investime dhe kompakte. Laçi sot tregoi se është skuadër e fortë.

Duhet përqendrim në çdo moment. Mazrekajt nuk ja kam gjetur unë telat, por nëse unë do të vazhdoja te Partizani ai do të kishte karrierë të jashtëzakonshme sepse ishte 25 vjeç. Ata që erdhën pas meje nuk e vlerësuan dhe ai ra e luajti në nivele të ulëta.

Erdhi te Laçi me pak para, jo si Seferi dhe Bregu dhe mund të them se është lojtari më i mirë në Shqipëri. Është lojtar që jep gjithmonë maksimumin dhe ka vlera të padiskutueshme. Ishte shumë e rëndësishme pas fitores me Tiranën”, deklaroi tekniku i Laçit.