Jo vetëm Khedira-n, klubi i Hertha-s do tentojë edhe transferimin e sulmuesit kosovar

Klubi i Hertha Berlin ndodhet në vështirësi në Bundesliga. Të 14-tët në kampionat, berlinezët po mendojnë të kryejnë disa transferime në merkato, për të përforcuar skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit.

Përveç Sami Khediras, drejtuesit e klubit të Hertha-s po mendojnë edhe transferimin e sulmuesit të përfaqësuese së Kosovës, Milot Rashica.

Nga Gjermania japin lajmin se futbollisti “dardan” mund të huazohet për gjashtë muaj në skuadrën berlineze, e cila do të jetë e detyruar ta blejë në verë, sigurisht nëse arrin të mbijetojë në kampionatin gjerman.

Rashica tashmë ka marrë një ofertë konkrete. Klubet po punojnë për të arritur marrëveshjen që gjithçka të mbyllet brenda së hënës.

Hertha ka kërkuar një sulmues të shpejtë për një kohë të gjatë. Rashica mund të jetë zgjidhja e problemeve aktuale.

Bosi i Herthas, Carsten Schmidt, as e ka pohuar por as e ka mohuar afrimin e Rashicës.