Superiore/ Kukësi fiton me 'poker' ndaj Skënderbeut, Kastrioti mposht Bylisin me supergolin e Dacit

Kukësi mposhti me rezultatin e thellë 4-0 në transfertë Skënderbeun, në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të të Kategorisë Superiore.

Skuadra e Mirel Josës e dominoi takimin nga fillimi në fund, duke mos e vënë në asnjë moment në diskutim fitoren ndaj korçareve, të cilët ishin thuajse inekzistente në fushën e lojës, duke pësuar 3 gola në pjesën e parë. 2 prej të cilëve në harkun kohor të 2 minutave.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi në kampionat për skuadrën kuksiane, ndërkohë që Skënderbeu fitoren e fundit e ka regjistruar në 30 dhjetor të vitit 2020 përballë Bylisit.

Plot 36 gola ka pësuar skuadra korçare në këto 17 javë, teksa renditet në vendin e fundit me 12 pikë. Në sfidën e radhës juglindorët do të përballen në transfertë ndaj Tiranës, ndërkohë Kukësi që është ngjitur në vendin e 4-t me 26 pikë të grumbulluara.

Fitore arriti edhe Kastrioti, që mundi me rezultatin minimal 1-0 skuadrën e Bylisit. Golin për skuadrën krutane e shënoi Klejdi Daci në minutën e 51-të.

21 vjeçari realizoi një supergol për skuadrën e tij, ku pas kontrollit fantastik të topit, me një kthesë spektakolare e ndal topin në fundin e rrjetës.

Këtë avantazh skuadra e Ndreut e mbrojti deri në fund, për të marrë kështu një fitore shumë të rëndësishme e cila i ngjit në vendin e 6-të me 21 pikë, ndërsa Bylisi mbetet i parafundit në tabelë me vetëm 12 pikë.