Meta, Titujt më të lartë, kampionëve të peshëngritjes: Ngritën flamurin si rrallë sporte të tjera

Me një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës Ilir Meta i akordoi sot titujt të lartë, kampionëve të sportit të peshëngritjes në Shqipëri, që kanë  lënë gjurmë në historinë e sportit shqiptar.

Meta i akordoi Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” profesor Ferid Berberi me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe rezultatet e larta në sportin e peshëngritjes, si rekordmen dhe kampion. Për profesionalizmin e tij në përgatitjen shkencore e profesionale të peshëngritësve elitarë, të cilët kanë arritur suksese në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke ngritur lart Flamurin Kombëtar, në gara të nivelit botëror, evropian dhe ballkanik”.

Me Titullin “Mjeshtër i Madh”, Presidenti Meta çmoi zotin Hysen Cenaj, zotin Muharrem Berisha, zotin Myslym Myslymi dhe zotin Leonard Toska me motivacionin: “Në vlerësim të kontributeve të spikatura si peshëngritës me rezultate të shkëlqyera në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare dhe si trajnerë në përgatitjen profesionale të sportistëve cilësorë dhe elitarë”.

Për këta tituj të lartë që akordoi sot, Meta shkroi në Fb:

"Peshëngritja meriton nderime të veçanta sepse ka qenë sporti, që arriti rekord botëror dhe ngriti Flamurin Kombëtar, si rrallë sporte të tjera. Profesor Ferid Berberi, Hysen Cenaj, Muharrem Berisha, Myslym Myslymi dhe Leonard Toska janë pesë kampionë, rekordmenë dhe trajnerë kampionësh, një buqetë e jashtëzakonshme sportistësh të përmasave ndërkombëtare, që me kontributet dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura në një periudhë tepër të vështirë për vendin u shndërruan në model frymëzimi për peshëngritësit e rinj dhe burim krenarie për të gjithë ne.

I lumtur të vlerësoja këta sportistë e trajnerë të mëdhenj, e nëpërmjet tyre, të gjithë legjendat e peshëngritjes shqiptare, që aq shumë kontribuan, që flamuri i Shqipërisë të ngrihej në arenën ndërkombëtare me krenari. I kemi dhënë botës shumë kampionë, por duhet ta mbështesim edhe më shumë peshëngritjen shqiptare për t’i dhënë të tjerë rekordmenë, që të ngrenë lart Flamurin Kombëtar," përfundoi Presidenti.