'Babi, shiko!' 4-vjeçarja angleze gjen gjurmën e një dinozauri në plazh

Një gjurmë dinosauri e ruajtur mirë është zbuluar nga një vajzë katër-vjeçare në një plazh, njofton BBC. Lily Wilder e dalloi atë në Bendricks Bay, Barry, në Luginën e Glamorgan - dhe shkencëtarët besojnë se kjo mund të ndihmojë në përcaktimin e mënyrës se si ecnin ata.

Gjurma, e pikasur në janar, është 220 milionë vjet e vjetër dhe ishte ruajtur në baltë.

Ndërsa është e pamundur të thuash se çfarë lloji e la atë, shputa është e gjatë 10 cm dhe ka të ngjarë të jetë e një dinozauru të gjatë 75 cm.

Kuratori i paleontologjisë në Muzeun Kombëtar të Uellsit, Cindy Hoëells e përshkroi atë si "ekzemplari më i mirë i gjetur ndonjëherë në këtë plazh".

"Ishte Lily dhe Richard (babai i saj) ata që zbuluan këtë gjurmë", tha mamaja Sally. "Lily e pa atë kur po ecnin së bashku dhe tha" babi shiko!". Kur Richard erdhi në shtëpi dhe më tregoi fotografinë, mendova se ishte e mahnitshme.

"Richard mendoi se ishte shumë e bukur për të qenë realisht e vërtetë. Por unë u vura në kontakt me ekspertët që e morën atë që andej".

Dinozauri që u la atë gjurmë u përshkrua si "një kafshë e hollë" e cila do të kishte ecur në dy këmbët e pasme dhe në mënyrë aktive gjuante kafshë të tjera të vogla dhe insekte.

Gjurmë të ngjashme në SHBA dihet se janë lënë nga dinozauri Coelophysis.

Mostrat e gjetura në Bendricks Bay në të kaluarën mendohet se janë nga zvarranikët më shumë të tipit krokodil sesa nga dinozaurët.

U desh të kërkohej leje e veçantë nga Burimet Natyrore Uells për të marrë zyrtarisht gjurmën, me fosilen e nxjerrë këtë javë dhe për ta çuar në Muzeun Kombëtar Cardiff ku do të ruhet.

Dinosaurët u shfaqën për herë të parë rreth 230 milionë vjet më parë.