VMRO-DPMNE ashpër kundër regjistrimit, me paralajmërime të reja

Shkup - VMRO-DPMNE i ka bërë thirrje pushtetit dhe kryeministrit maqedonas Zoran Zaev që të heq dorë nga zbatimi i një regjistrimi siç e quan të dhunshëm dhe që do të ishte i falsifikuar, numrat e të cilit paraprakisht janë dakorduar mes partnerëve të koalicionit.

Kjo parti përmes një komunikate theksoi sot se mbështet një regjistrim që do të organizohej në formë elektronike.

“Për të mirën e shtetit të tërhiqet ligji aktual për regjistrim dhe në vend të regjistrimit të falsifikuar të zbatohet regjistrim elektronik. Regjistrimi elektronik do të zbatohej në bazë të metodologjisë së qartë, ku do të merren parasysh më shumë baza të të dhënave”, theksoi VMRO-DPMNE, duke paralajmëruar se do të nis me nënshkrime për anulimin e regjistrimit.

VMRO-DPMNE do të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve për anulimin e Ligjit ekzistues mbi Regjistrimin, dhe nëse qeveria anashkalon vullnetin e qytetarëve, ne do të bëjmë thirrje për një regjistrim masiv të popullsisë në vend dhe të gjithë maqedonasve në diasporë. Kjo do të lë gjurmë, dhe kur pushteti do të ndërrohet, abuzimet gjatë regjistrimit do të shqyrtohen në detaje, për të cilat do të ketë përgjegjësi. Zaev ka një shans të heqë dorë nga falsifikimi dhe të pranojë një regjistrim elektronik.”, thekson partia më e madhe opozitare maqedonase