Brdaric flet para ndeshjes ndaj Partizanin: Do të futemi në fushën e lojës me vetëbesim

Trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Tomas Brdaric ka dalë sot në një konferencë për mediat, përpara ndeshjes ndaj Partizanit, e vlefshme për javën e 17-të në Kategorinë Superiore.

Gjermani u mundua të largonte presionin nga skuadra e tij. Në prononcimin para gazetarëve ai deklaroi:

“Ndaj Partizanit janë kushte të tjera. Të gjithë lojtarët janë stërvitur maksimalisht gjatë gjithë javës. Jemi koshient që ndeshja e nesërme do të jetë tepër e vështirë. Do t’iu përmbahemi parimeve tona që kemi. Lojtarët duhet të ndihen nesër të lirë dhe të sigurt në vetvete. Nesër do të hyjmë në fushën e lojës me vetëbesim, nuk do t’i ngarkojmë lojtarët, do t’i lemë të luajnë të lirshëm.

DORA TE TITULLI NË RAST FITOREJE? Unë mund të ndërhyj kur bëhet fjalë gjithmonë për këtë temë. Unë jam shumë i kënaqur që besoni se mund të arrijmë të fitojmë kampionatin. Është gjë e bukur shumë që njerëzit kanë ëndrra që Vllaznia të dalë kampion. Por duhet të jemi realistë dhe të rrimë me këmbë në tokë. Do t’i marrim të gjitha ndeshjet një nga një, dhe të rrisim cilësinë në skuadër. Atë sistem do ta përdorim në të gjitha ndeshjet e kampionatit.

AFRIMET E BUJSHME TË PARTIZANIT? Siç e kam përmendur, ne jemi në pozicion shumë të favorshëm. Është normale që të gjithë do të forcohen, do të bëjnë merkato. Që ne të na ndjekin dhe të na bëjnë presion është normale. Por ne nuk kemi frikë. Edhe skuadrat e tjera nuk kanë fjetur gjumë kanë marrë lojtarë cilësorë dhe kanë trajnerë me eksperiencë. Lojtarët e skuadrave të tjera mundohen të na i bëjnë jetën më të vështirë.

Do të bëjmë maksimumin që mos të na shënojnë. Skuadra e mirë krijohet me lojtarë të mirë, edhe ne i kemi. E di që Partizani ka marrë Hasanin. Atij i duhen disa javë që të marrë veten, nuk besoj se do të jetë gati të luajë direkt me Partizanin. Mua më intereson strategjia, si do të luajnë kundër nesh. Kjo është gjëja më e rëndësishme.

JU KËNAQ BARAZIMI? Nuk jemi duke menduar për rezultatin e nesërm. Do ia lemë fushën. Për mua ka rëndësi si do të vendosemi në fushë. Do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin. Nuk ka rëndësi nëse fitojmë apo humbim. Mbas ndeshjes mund të jap përgjigjen që kërkoni.

FORMACIONI- Lojtarët e rinj kanë nevojë për kohë që të inkuadrohen në fushë. Do bisedoj me stafin teknik për 11-shen ndaj Partizanit. Shpresoj të bëjmë maksimumin.

KUR DO AKTIVIZOHET BRDARIÇ JR? – Djali im është lojtar i ri, ka prespektivë, por duhet të marrë shumë eksperiencë. Nuk them që do të bëhet futbollist. Është si të gjithë lojtarët. T’ia lemë kohës”, u shpreh Brdariç.