Jepnin garanci dhe teste të rreme për në BE, arrestohet i pesti i falsifikatorëve

Policia e Tiranës ka vënë në pranga, falsifikatorin e pestë të garancimeve dhe testeve të rreme që iu shiteshin shqiptarëve për të hyrë në vendet e BE.

Policia kapi 18-vjeçarin O.Gj, i cili ishte shpallur në kërkim nga Policia pas arrestimit të katër personave të parë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale në kuadrin e operacionit Shtegtimi.

Sipas Policisë së Tiranës, “ai, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, duke përfituar nga situata e pandemisë ‘’COVID-19’’, nëpërmjet kamuflimit, për t'u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, kanë përfituar shumën 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, falsifikuar testet për COVID-19 dhe garancitë për destinacionin e vendit pritës.

Tashmë vazhdon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.

Dosja i kaloi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.