Rama sërish kundër BE-së: Nuk kemi pse e presim, kemi edhe Turqinë, Lindjen e Mesme…!

Ditën e djeshme Koordinatori për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Europian, Michael Gahler, mes të tjerave ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama, për qëndrimet e tij që silurojnë Bashkimin Europian si dhe për marrëveshjet që bën me palë të treta, kundër ligjit europian.

“Qeveria në Tiranë nuk duhet të provokojë miqtë e Shqipërisë europiane, qoftë duke mohuar këto kushte apo duke përgojuar BE për ndihmën e saj ose duke bërë marrëveshje me palë të treta, në shkelje të ligjit europian. Këto janë çështjet që kam ngritur në forume europiane e do të vazhdoj të ngre për hir të besueshmërisë së vendit dhe  të ecurisë së shpejtë drejt anëtarësimit”, deklaroi zyrtari i lartë i BE-së.

Por vetëm 24 orë më pas, Rama, i është kundërpërgjigjur nga Korça duke deklaruar se nuk është i detyruar që të presë BE-në, pasi janë edhe vendet e tjera (të treta) si Turqia, ato të Lindjes së Mesme etj.

“Shumë gjëra që i kemi bërë ne në këto 7 vite, duheshin bërë 17 vite më parë, dhe nuk do të ishim në këtë fazë, por nuk ka një rrugë për t’i rënë shkurt.

Madje, rruga për t’i rënë shkurt është tentuar disa herë dhe ka dalë më gjatë. Është njësoj si skemat piramidale.

Ndaj na duhet një durim i madh për të kuptuar që proceset e shtetbërjes në të gjitha hallkat dhe ngritjes së zinxhirit të institucioneve, që të bëjnë punën e tyre, janë procese që kërkojnë kohën e tyre.

Në 3-4 vitet e ardhshme është e mundur që ne të kemi dalje në treg, por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera.

Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme, e deri tutje”, deklaroi kryeministri Rama.