Alibia e Edi Ramës për 'oligarkët': Nuk më urdhërojnë dot mua!

Një nga temat më të preferuara të opozitës dhe një pjese të medias, prej kohësh ka qenë ajo e kapjes së qeverisë Rama nga një grusht biznesmenësh të cilët përfitojnë pjesën më të majme të buxhetit të shtetit nëpërmjet lidhjeve okulte, tenderave dhe koncesioneve të dyshimtë.

Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka folur sot nga Korça për këtë temë, duke ngritur edhe alibinë e tij, për të ashtuquajturit oligarkë dhe lidhjet e tyre me atë vetë dhe qeverinë që drejton. Sipas Ramës në fakt ata nuk ekzistojnë fare, madje janë jo përfitues, por kontribuues të mëdhenj në buxhetin e shtetit.

“Duhet të shohim faktet dhe këtu ka një problem të madh të shtrembërimit të fakteve. Keni zgjedhur një sistem ku padiskutim do kemi njerëz shumë të pasur dhe do kemi diferenca të mëdha mes tyre dhe tjerëve. Mund të jenë këta që janë, mund të jenë të tjerë komplet, nuk kanë rëndësi emrat.  Çështja është e thjeshtë, këta njerëz shumë të pasur, e para, a e krijojnë, a e zhvillojnë pasurinë e tyre në rrugë të ligjshme, e dyta, këta njerëz shumë të pasur a i kthejnë shoqërisë në formë kontributesh atë që i detyrohen, dhe e treta këta njerëz shumë të pasur a janë në punën e tyre apo bëjnë edhe punën e qeverisë, në sensin e influencës mbi qeverinë? 

Përdoret fjala oligark, por kjo fjalë nuk lidhet thjesht me sa para ke, por sa pushtet ke mbi vendimmarrjen, që do të thotë pushtet okult, jo legjitim, pushtet i ushtruar përmes influencës tënde si aktor në treg, jo përmes mandateve të përfaqësimit. Në këtë sens nuk ka oligarkë në Shqipëri, sepse nuk ka në Shqipëri njerëz të pasur që marrin vendime për llogari të qeverisë. Nuk ka në Shqipëri ndonjë që të më detyrojë mua apo qeverinë tonë që të marrim vendimin që shkon në interes të tij dhe në dëm të interesit publik”, shpjegoi Rama marrëdhënien e tij me “oligarkët”.