Edi Rama tregon skenarët e vaksinimit të Shqipërisë: Mund të zgjasë deri në 2 vjet!

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Korça ku po bën fushatë edhe për skenarët e mundshëm të vaksinimit të Shqipërisë të cilët sipas tij janë 3. Pasi ka bërë një parantezë krahasuese me vështirësitë që po hasin edhe vendet europiane me këtë proces, ai ka shpalosur planin që fillon nga 14 deri në 24 muaj kohë që vendi të vaksinohet.

“Ju po e ndiqni çfarë po ndodh me vaksinën në Europë dhe vështirësitë që kanë vendet për ta përfituar. Për shkak  se Pfizer ka bërë një frenim të prodhimin me argumentin se i duhet pak kohë se i duhet të rrisë kapacitetet e prodhimit, sepse raporti i prodhimit me kërkesën është i zhdrejtë. Dhe është e kuptueshme se i gjithë planeti do vaksinë sot për sot.

Më vjen mirë që ia dolëm të dalim nga rrethimi. Së bashku me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor që u lanë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave nga BE dhe arritëm të kemi një kontratë të drejtpërdrejtë me Pfizer që të mbërrijmë përmes Covax. Thonë se do fillojmë në shkurt por sdihet se kur do ndodhë.

Më vjen mirë që ia dolëm të dalim nga rrethimi ku u gjendëm jo për fajin tonë, dhe arritëm të kemi kontratë me Pfizer për 500 mijë doza kjo e rinovueshme. Do të duhet të kishin ardhur 10 mijë doza në këtë fund janari, por Pfizer bëri postim dhe nuk i patëm në kohë vaksinat, por bëj mirë të them se kemi marrë konfirmim se do të fillojë furnizimi nga Pfizer ditën e hënë.

Shpresoj të mos marrim një njoftim tjetër por mesa duket është konfirmim. Do të fillojë me një sasi më të vogël se ajo e premtuara por do të rriten shpejtë. Jemi afër dozës së dytë për ata që e kanë marrë dhe besoj që pa diskutim në momentin që fillon furnizimi  do të kemi mundësi që ta shtrijmë shpejt për ju, dhe mjekët e infermierët.

Por nuk është vetëm Pfizer se kemi lënë vetëm në dorë të Pfizer. Jemi jo larg finalizimit me AstraZeneca. Kemi filluar kontaktet paraprake për të zënë radhën sepse këtu është një luftë e paimagjinueshme interesash e prapaskenash për të gjetur shtegun për të qenë më afër vaksinës.  Po përpiqemi të gjejmë shtegun për të qenë më afër vaksinës. Nga pikëpamja e kapaciteteve si doza s`do kemi mungesa. Plani i parë është ta kryejmë vaksinimin për 14 muaj.

MSH ka punuar me stafin intensivisht për të gjithë programin e trajnimit për procesin e vaksinimit. Skenari tjetër 18 muaj. tjetri 22 ose 24 muaj në mos gabohem”, tha Rama.