Inceneratori i Sharrës ‘thith’ të tjera para, merr edhe 480 mln lekë

Ndërkohë që vendi po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike për shkak të pandemisë, qeveria nuk kursen paratë për inceneratorët.

Me një vendim që mban datën 24 dhjetor të vitit të kaluar, i botuar në fletoren zyrtare në datën 20 janar të këtij viti, qeveria ka vendosur të rrisë kostot për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës me rreth 480 milionë lekë të tjera.  Sipas këtij vendimi, qeveria ka miratuar një fond për shpronësimin e një sipërfaqe toke arë dhe vreshta në Sharrë, e cila do të përdoret për ndërtimin e Inceneratorit.

Konkretisht, Bashkia e Tiranës do të duhet të shpronësojë rreth 11 mijë metra katrorë tokë vreshta dhe arë në favor të kompanisë Integrated Energy BV SPV, me qëllim ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Vlera e shpronësimit të kësaj sipërfaqe toke është në total dyzet milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e katër mijë lekë, buxhet i cili do të përballohet nga buxheti i bashkisë.

Në vendimin e botuar në fletoren e zyrtare, që mban firmën e zëvendësministrit Erion Braçe, deri më tani janë evidentuar vetëm 3 pronarë si persona konkret për shpronësim, ndërkohë që 4 sipërfaqe toke janë ende pa dokumentacion, ndonëse qeveria ka parashikuar fondin për shpronësim edhe për këto prona.

Kjo kosto e re që i shtohet taksapaguesve shqiptarë, vjen në një kohë kur kompania koncensionare e landfillit të Sharrës, ende nuk ka kryer asnjë investim për ndërtimin e inceneratorit, për djegien e plehrave./SYRI TV