VIDEO/ Dyqani i Ndraghetas, ende i hapur/ Asnjë hetim pasuror

Ky dyqan i “Gallo Albania” në rrugën Pjetër Bogdani në qendër të Tiranës është një nga provat fizike të investimeve që kanë bërë persona që në Itali tashmë janë në akuzë zyrtare për pastrim parash, si pjesë e organizatës së “Ndragetës”, e që në përgjime rezultuan se kërkonin të merrnin tenderë dhe leje ndërtimi, duke ndërhyrë te zyrtarë të lartë shqiptar.

Gati 2 javë pas publikimit të përgjimeve, ky dyqan edhe pas konstatimi si provë e pranisë së njerëzve të lidhur me Ndragheta-n nga vetë kryeministri Edi Rama, ende vazhdon të vijojë punë i pashqetësuar as nga zyra e tatim-taksave e aq më pak nga Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion.

Nga një verifikim i thjeshtë në QKB, rezulton se licenca e operimit të “Gallo Albania” në Shqipëri vijon të jetë aktive, çka do të thotë se për Antonio Gallon biznesi ka marrë fund në Itali, ndërsa në Shqipëri për drejtësinë dhe fiskun e vendit tonë ai nuk përbën asnjë probleme.

Antonio Gallo, i ashtuquajturi “Princi”, është pikërisht një nga ortakët në këtë biznes që vazhdon punën në kryeqytet, megjithëse sipas Prokurorisë së Katanzaros ai kishte rolin kryesor në rrjetin e personave që kanalizonin investimet e parave të krimit.

Në përgjime, “Princi i Ndraghetas” bisedonte me Nikun e Shqipërisë, i cili premtonte se kishte lidhje direkte me Erion Veliajn, nga ku ata mund të pastronin paratë e Ndraghetas.

Por teksa jehona e përgjimeve italiane, që nxirrnin në dritë panoramën e një Shqipërie me korrupsion galopant e zyrtarë që shiteshin për “mish” vazhdon të trazojë politikën, Prokuroria e Posaçme ende nuk ka një reagim zyrtar, apo nisje të një hetimi, qoftë edhe pasuror për persona që tashmë i është ngritur akuzë nga autoritetet italiane.

Është detyrë e çdo prokurori të nisë hetim kryesisht, tha të enjten në një komunikim për mediet kryeprokurori Olsian Çela. Deklaratë që u lexua si një përgjigje ndaj indiferencës në dukje të SPAK, që me gjithë presionin dhe kërkesat për një hetim kryesisht ka zgjedhur të hesht në pritje të autoriteteve italiane.

Hetimi penal do duhet të presë dokumente zyrtare të autoriteteve italiane, lëvizje e komunikuar zyrtarisht nga kreu i SPAK disa ditë më parë, e si duket edhe për një hetim pasuror për persona që tashmë janë pjesë e kësaj organizate e që rezultojnë të kenë investuar në vend, do të priten këto informacione, pavarësisht se mund të nis edhe pa to. Deri atëherë, dyqani i Princit të Ndraghetas, do vijojë të punojë normalisht dhe i pashqetësuar nga autoritete shqiptare, si një tregues se çfarë vlere reale ka drejtësia në Shqipëri./SYRI TV