'Na mbajti ti, se mos i prish unë, te sirtari janë'/ Zbardhet përgjimi që çoi në pranga kreun e Kadastrës në Berat

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kishte autorizuar përgjimet telefonike dhe ambientale për drejtuesin e Kadastrës në Berat disa muaj më parë.

Ky veprim nga ana e SPAK ka ardhur pas dyshimeve se ky zyrtar nxirrte problematika artificiale për dosjet në proces legalizimi me qëllim marrjen e përfitimeve të paligjshme.

Një përgjim i gushtit të 2020-s mes kreut të Kadastrës dhe një punonjëse ishte prova kryesore që SPAK paraqiti të enjten në gjykatë kundër Ervin Nelajt.

Përgjimet e SPAK:

Drejtori: Hajde

Punonjësja: Të kujt? Aman se sma mban më se...

Drejtori: 60, 65, 70, 75

Punonjësja: Të kujt ? Të voglin ça e ka ai, Dallavenin. Kujt të vogël mo?

Drejtori: Po ai që thoshe ti që është afër...

Punonjësja: Diskaniti.... Po dale se Diskani s’është bërë akoma

Drejtori: Po ça e ke këtë Diskanin?

Punonjësja: Akoma dhe Diskani është shkëmb. Jo Ledon, prit njëherë

Drejtori: Ç’a t’i bësh Diskanit?

Punonjësja: Se Elda tha unë e kam parë te noterja, nuk është ashtu fare

Drejtori: Mirë na mbajti ti këto se mos i prish unë

Punonjësja: Ti prish unë

Drejtori: Unë i prish

Punonjësja: Lëri një çik tek sirtari se vij i marr unë më vonë ndoshta

Drejtori: Këtu te sirtari janë, te sirtari i parë

Punonjësja: E se vij unë tani për dy sekonda me ndonjë dosje

Drejtori: Dosje, na mo, dosjen ku i ke çu

Megjithëse në përgjim implikohet edhe një punonjëse e kadastrës, SPAK ka vendosur të mos kërkojë masë sigurie ndaj saj për shkak të rrethanave familjare si nënë e një fëmije dy muajsh, por ta hetojë në gjendje të lirë.