Yuri Kim mesazh Ramës: Nëse një parti përjashton dikë që nuk kalon vettingun, nuk mund të aktivizohet nga kundërshtari

Me një mesazh të qartë për partitë politike, Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, ka bërë apel që të largojnë nga listat e kandidatëve, personat që janë përjashtuar më parë nga procesi i vetingut të brendshëm dhe nga procesi i dekriminalizimit.

Ambasadorja Kim iu drejtua në mënyrë nominale drejtuesve të partive politike që të tregohen të kujdesshëm, pasi kjo gjë konsiderohet si e papranueshme nga SHBA.

 “Kur një parti përjashton dikë, sepse ai person nuk kaloi vetingun në partinë e tyre, ai person nuk duhet marrë nga një parti tjetër për avantazh politik. Kjo nuk është e pranueshme dhe ky është pozicioni i Ambasadës së SHBA-së, por besoj është edhe pozicioni i popullit shqiptar. Mendoj se duan politikë më të pastër. Mendoj se duan gjykata më të pastra. Mendoj se duan udhëheqësi të vërtetë, të ndershme nga partitë politike dhe unë jam me ta”, tha ambasadorja Kim në një intervistë për gazetarin Sokol Balla në Neës24.

Por një rast i njohur deri tani në publik i kalimit nga një parti në tjetër, është ai i ish-deputetit të LSI-së në qarkun e Beratit, Gledjon Rehovica.

Këtij të  fundit në vitin 2017 iu hoq mandati i deputetit, pasi kishte fshehur një vepër penale që kishte kryer në Itali.

Rehovica sipas dokumenteve të prokurorisë italiane ishte dënuar për vjedhje dyqani, ndërkohë që kishte përdorur si identitet gjeneralitetet e “Kusta Mina”.

Ish-deputetit të Beratit iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.  Gledion Rehovica disa javë më parë bëri të ditur se ai nuk do të jetë më pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por do t’i bashkohej Partisë Socialiste.

E “dogji” dekriminalizimi, ish-deputeti me dënim në Itali i bashkohet PS-së

Pyetja për ambasadoren e SHBA

Sokol Balla: Pse po vizitoni kaq shpesh zyrën e z. Celibashi, kreut të KQZ-së? Ju reaguat dy herë, një “retëeet” me koment, që na kujtonte ne ose ata, në fakt jo ne, por ata, politikanët për listën e zezë të Departamentit të Shtetit. Çfarë lidhje ka midis kësaj dhe procesit zgjedhor?

Yuri Kim: Kur takohem me shqiptarë të zakonshëm, një nga gjërat që pothuajse të gjithë përmendin është korrupsioni në politikë e biznes. Ata flasin se duan politikanë më të mirë që t’i përfaqësojnë dhe njerëzit janë të mençur, e dinë çfarë ndodh.

E dinë se kush është kush. Ka ligje që Shqipëria i ka për dekriminalizimin që ndalon kandidimin e personave të dënuar apo zgjedhjen e tyre në Parlament. Por ka edhe individë të tjerë që janë të njohur që të ulen në kuvendin e popullit, duke bërë legjislacion e ligje, apo jo?

Dhe këtë përpiqem të vë në dukje, ndaj mendoj se udhëheqësit e partive duhet të marrin përgjegjësitë. Kam vënë re që sa herë flas për këtë, secili pretendon sikur unë flas për palën tjetër. Dhe më duhet të them, dua të jem shumë e qartë, po flas për ty. Po i flas z. Rama në cilësinë e tij si kreu i PS-së, po i flas z. Basha si kreu i PD-së, po i flas edhe znj. Kryemadhi, po i flas kujtdo që drejton një parti politike. Është përgjegjësia juaj dhe po ju flas juve. Pra, askush nuk mund të ngatërrohet sikur po i flas palës tjetër. Dhe diçka tjetër. Dëgjoj edhe për njerëz në partitë politike, udhëheqësit politikë në veçanti, duhet të luajnë ndershëm dhe duhet të jenë të ndershëm.

Dhe një element i kësaj është se kur një parti përjashton dikë, sepse ai person nuk kaloi vetingun në partinë e tyre, ai person nuk duhet marrë nga një parti tjetër për avantazh politik. Kjo nuk është e pranueshme dhe ky është pozicioni i Ambasadës së SHBA-së, por besoj është edhe pozicioni i popullit shqiptar. Mendoj se duan politikë më të pastër. Mendoj se duan gjykata më të pastra. Mendoj se duan udhëheqësi të vërtetë, të ndershme nga partitë politike dhe unë jam me ta.