Gjykata Supreme lë jashtë garës për deputet kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti

Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë vendimin në lidhje me ankesat e partive për një pjesë të kandidatëve për deputetë, të cilët nuk u lejuan të garojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kështu, Supremja i ka ndaluar Albin Kurtit të kandidojë si deputet, ndërsa ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve  që Liburn Aliu dhe Labinotë Demi-Murtezajt, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë.

'Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar pjesërisht ankesën e LVV-së, për Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, pasi është konstatuar se PZAP ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3 vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3-vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës të theksuar.

Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021', thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.