Armando Sadiku prezantohet në Bolivi: Dua të shënoj në Kupën Libertadores

Armando Sadiku ka shkuar në Amerikën Latine me një objektiv shumë të qartë në mendje: të bëhet protagonist në Kupën Libertadores, turneun më të njohur për klube në kontinent.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare çuditi të gjithë me zgjedhjen që bëri për t’iu bashkuar Bolivar në Bolivi, por futbollisti ka shkuar atje me dëshirën për të treguar vlerat e tij në një turne të cilin e kanë përjetuar si protagonistë pak lojtarë nga Europa.

“Kam shumë dëshirë për të bërë mirë, kam ardhur këtu që të bëhem golashënues. Dua të shënoj sa më shumë gola për të kënaqur njerëzit. Kupa Libertadores është një ëndërr për mua, e kam parë vetëm në televizor, do të punoj shumë për të arritur në formë në ndeshjet e kupës dhe të shënoj ndaj çdo skuadre”, tregoi Saidku në prezantimin e tij para mediave.

Lojtari pranoi se tashmë ishte ende në fazën e ambientimit, me ndryshimin e regjimit dhe orareve në krahasim me Europën, por premtoi se shumë shpejt do të jepte maksimumin në fushën e lojës.

“Jam në gjendje të mirë fizike, por jam pak i lodhur. Mendoj se në javën e ardhshme do të jem në formën time më të mirë. Shpresoj që të arrij në 100% për të dhënë gjithçka për ekipin e Bolivar”, tha sulmuesi.

Nga skuadra është larguar golashënuesi kryesor, Markos Rikelme dhe Sadiku do të ketë si detyrë të zëvendësojë pikërisht atë në këtë edicion.

“Ai ka shënuar shumë gola këtu, nuk mund të premtoj që do të bëj të njëjtën gjë, por do të jap gjithçka për ekipin dhe për të arritur objektivat e klubit”, deklaroi futbollisti shqiptar.