Paratë e krimit dhe korrupsionit, sa do të arrijë Rama të bllokojë SPAK?!

Në rrjet janë shtuar zërat që thonë, se njësoj si shumë skandale të tjera të Rilindjes, edhe ky me përgjimet ndaj Ndrangheta, po harrohet. Shprehja më e përdorur është: Në Shqipëri çudia më e madhe, zgjat vetëm 3 ditë!

Kjo shprehje ka fituar besueshmëri në opinion, vetëm për një fakt të thjeshtë; heshtjen apo mungesën e veprimit të organeve përgjegjëse që duhet të hetojnë dhe të zbulojnë të vërtetën.

Duket sikur edhe çështja e implikimit të mundshëm të kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, deri te kryeministri Rama, në bashkëpunim me mafien italiane në një skemë të pastrimit të parave në ndërtim si dhe atë të korrupsionit në tendera e leje, po humbet mes propagandës mohuese të Rilindjes.

Gjatë këtyre ditëve janë shtuar shumë zërat politik, mediatik të cilët i bëjnë thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të hetojë urgjent dhe sa më thellë, të gjitha indiciet që vijnë nga përgjimi i antimafies.

Për hir të së vërtetës, vetë drejtuesi i këtij institucioni deklaroi për mediet, se do të kërkojnë më shumë të dhëna dhe material nga homologët italianë. Edhe prokurori i çështjes në Itali deklaroi për mediat aty, se kjo skemë duhet të hetohet edhe në Shqipëri.

Por pavarësisht nga kjo,kryeministri Edi Rama, në një konferencë me gazetarët deklaroi hapur, se është kundër hetimit nga drejtësia shqiptare të këtij skandali.

‘Nuk do të them për këtë duhet të flasë drejtësia. Sepse në këtë rast ka folur qartësisht duke dhënë konkluzion ekipi italian. Dhe po ua lexoj për të thënë pse është turp për të gjithë ju që në vend që të merreni me fakte, bëni dezinformim’, deklaroi ai sot duke i para dhënë një verdikt SPAK dhe bërë presion të hapur.

Gjithashtu kryeministri i vendit shtoi sikur të ishte në krye të SPAK, se çështja është e mbyllur në Itali dhe Ndrangheta paska dështuar me planin e saj në Shqipëri.

Pa paragjykuar, ende nuk dihet nëse SPAK do të hap apo jo  një hetim të mirëfilltë mbi këtë çështje, por ajo që kërkohet prej këtij institucioni edhe përtej indicieve që vijnë nga përgjimi në fjalë, janë disa alarme që nuk vijnë vetëm nga brenda vendit.

Mes të arrestuarve nga anti-mafia ka edhe shqiptarë për të cilët duhet të ketë një hetim, edhe në vendin tonë. Nga ana tjetër çështja e pastrimit të parave nëpërmjet ndërtimeve sidomos në Tiranë, nuk doli për herë të parë nga ky përgjim.

Janë të shumta institucionet ndërkombëtare që kanë ngritur ‘flamujt e kuq’ për këtë çështje, duke dhënë edhe fakte konkrete si ai se 60% e biznesmenëve që kanë fituar lejet e ndërtimit në kryeqytet, nuk kanë pasur financat e mjaftueshme për të përfunduar projektet.

Ku i gjetën më pas financat që shkojnë në qindra milion euro, ndërkohë që me sy të lirë shihet se kullat po mbijnë gjithandej?!

Këto dhe shumë të tjera duhet të jenë pjesë e një hetimi të thellë të SPAK. Kujtojmë se ditën e sotme, edhe Koordinatori për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Europian, Michael Gahler, deklaroi se, ‘pastrimi i parave mbetet një shqetësim i pa adresuar, nisur edhe nga skandali i fundit(Ndrangheta)’.

Pikërisht këtë përpjekje të kryeministrit Rama për të intimiduar dhe mbyllur sytë e SPAK ndaj skandaleve me përmasa të tilla, ka pasqyruar në karikaturat e fundit, botuar në Mapo, mjeshtri Bujar Kapexhiu.