Rama ka edhe 87 ditë për të pjellë 'Peshk, Lavazh, Gëlqere'!

Nga Belind Këlliçi.

Rrugës nga Përrenjasi në Qafë Thanë të goditej syri nga disa pika auto-larje, që për t'u vetëreklamuar e hidhnin ujin përpjetë, si për të treguar se "aty ku ka, derdhet". 

Do të mjaftonin pak metra rrugë që biseda e zjarrtë shumëzërëshe e bashkëudhëtarëve të mi, të zvenitej nga një tjetër moment absurdi. 

Përpara kishim një tabelë llamarine me mbishkrimin ndjellës "Peshk, lavazh, gëlqere". Kishte material të bollshëm si për dramë dhe për komedi.

E kemi komentuar aq gjatë këtë moment, edhe në rrjete sociale, sa dashur pa dashur u bë pjesë e përditshmërisë sonë shoqërore. U kthye në etalon të absurdit. Kudo ku shihnim çudira, natyrshëm do përmendej batuta "peshk, lavazh, gëlqere", si për të thënë se mbi këtë absurd nuk ka tjetër.

Ja që ka! Nuk është prej llamarine po prej mishi e kockash.

Në vitin 2009 gjatë fushatës elektorale thoshte "nuk jam politikan" por ishte kryetar i PS dhe njëherazi kryebashkiak i Tiranës.

Erdhi fushata e radhës dhe të tjera absurditete zunë vend. Shëndetësia falas ishte një ndër to.

21 janari u harrua dhe krushqia u gatua. Ilir Meta u bë për socialistët burrë i mirë, kryeparlamentar dhe President i Republikës. Pastaj u bë sërish burrë i keq, president sabotator e më the të thashë.

Në ditën e parë të punës, kryeministri urdhëroi të punësuarit e tij në administratë, të hiqnin portretin e Presidentit të Republikës. Kjo u quajt punë, pasi nuk mund të pranohej një autoritet mbi kryeministrin, pavarësisht së Kushtetuta e sheh si karriken e tretë për nga rëndësia.

Kryeministri i ri nisi t'i ndërronte shpesh kostumet. Si gjykatës suprem i gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dizenjator i fanellave të Kombëtares, si lider i Ballkanit Perëndimor, kritik i ashpër me mjekët dhe infermierët që sot i quan heronj, si inagurues aeroportesh imagjinare, si babagjysh bamirës, e plot kostume të tjera që i ndërron si mbreti gratë.

Me kostumin e kryeministrit dhe buxhetin e kryeministrisë shpërtheu dhe delli artistik. Piktori që ende nuk kishte peneluar ndonjë një tablo të njohur, ia nisi të çelte ekspozita figurative në galeritë e New York-ut. Askush s'mori vesh se si udhëheqësi i një vendi të varfër, në orar pune, e në një zyrë shteti të shndërruar në atelier, gjente kohën për të magjepsur publikun amerikan. Porsi politikanët që nuk bindin me fjalë, kryeministrit tonë i duhej të shkonte në takime me homologët, i veshur me çitjane e me atlete sportive. Thyerje absurde kjo e protokollit serioz të takimeve të niveleve të larta. Kështu vepronte edhe presidenti famëkeq i Bolivisë Ivo Morales, ai libian Gedafi, e ndonjë tjetër i sërës së tyre që donte të bëhej protagonist me veshje allasoj.

Punët e Shqipërisë shkojnë vaj dhe Rama ka kohë të bollshme të punojë si negociator i paqes midis Turqisë dhe Greqisë. Por Ballkani është një territor i vogël për liderë botërorë si Rama. Bjellorusia dhe Ukraina kishin nevojë për këshillat e tij. Mbretëria e Bashkuar dhe procesi Brexit kishin po ashtu nevojë për urtësinë e tij politike.

Doni absurditete të tjera? Se ka plot.

Si atëherë kur shqyen sytë investitorët italianë kur një kryeministër socialist mburrej se vendit të tij nuk i duheshin sindikatat, apo kur nxorri autoblindat për të luftuar virusin.

Po vaksinimi që bëhet në një stadium futbolli edhe pse vendi ka një rrjet poliklinash e spitalesh.
Ka të tjera.

Kryeministri skanon çdo student protestues, që nga celulari e deri ku i punojnë prindërit, por nuk ka dijeni se deputetët e tij janë me 5 emra.

Ku i gjeni paratë për internet, ironizon Rama shqiptarët që i ankohen për varfërinë. A thua se të përdorësh internetin është luks! Interneti sot është nevojë bazike si buka dhe uji. Me internet prindërit flasin me fëmijët në emigracion. Me internet zhvillohet procesi mësimor në distancë.

Absurdi kulmoi kur Kuvendi me 94 vota pro votoi pa diskutuar, një akt-normativ për hyrjen e vaksinave anti-Covid, pa ditur nga vijnë, kush i prodhon e ku, ç'efekte anësore kanë, kush i çertifikon dhe sa kushtojnë!

Rama ka edhe 87 ditë kohë të pjellë absurditete alla peshk, lavazh, gëlqere. Deri më 25 prill!