Atentati në Mamurras/ Shpresë se kamerat mund të kenë filmuar autorët

Një 60-vjeçar ishte pre e një atentati mesditën e djeshme në Mamurras, ndërsa mbeti i plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të së enjtes, ndërsa objektiv i sulmit me armë ishte Myslim Lika, babai i Ilir Xhepaj (Lika), i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.

Sipas informacioneve të Policisë, 60- vjeçari Lika ka qenë duke lëvizur në këmbë, kur është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Nga të shtënat ai ka marrë tre plumba, dy në krah dhe një në gjoks dhe është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë nga ku bëhet e ditur se ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Në momentin e ngjarjes, shtetasi Myslim Lika po kthehej nga ceremonia mortore e së motrës, e cila i dha fund jetës duke u vetëvrarë me armë gjahu dy ditë më parë.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia ngriti pika kontrolli dhe krehu zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët janë larguar me një automjet. Në vendin ku ndodhi ngjarja janë sekuestruar disa kamera sigurie, të cilat mendohet se kanë filmuar lëvizjet e atentatorëve.

I plagosuri

Sipas burimeve, Myslim Lika rezulton person me precedent të mëparshëm penal dhe ka qenë i dënuar me 25 vite burg për vrasje në vitin 2000. Pistat e hetimit janë përqendruar tek e kaluara e tij dhe e të birit, i cili krahas përfshirjes në vrasjen e biznesmenëve, rezulton të jetë dhe autor i një plagosje të ndodhur pak muaj më parë në Laç.

Më 15 maj 2020, Ilir Lika ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 33-vjeçarit Zef Marku, duke e lënë të plagosur. Ndërsa në vrasjen e biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, Ilir Xhepaj (Lika) rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor me Eduart Lamaj, i cili është personi që ka qëlluar ndaj tyre.

Sipas burimeve të Policisë së Laçit, Ilir Xhepaj ka qenë njeriu që ka mbajtur të neutralizuar me armë dy djemtë e Paulin Gjergjit, 27-vjeçarin Nikolin dhe 21-vjeçarin Anton, në mënyrë që ata të mos lëviznin nga makina e tyre “Range-Rover”.

Ndërkohë sipas Policisë, është sërish Ilir Xhepaj ai që së bashku me një shok tjetër Elson (Oltion), Alija (Vlashi), kanë hyrë brenda në lokalin “A&A” duke ndihmuar të plagosurin Eduard Lamaj, pasi ky i fundit, gjatë shkëmbimit të zjarrit me Bujar Liken, mbeti i dëmtuar me një plumb, në gjurin e këmbës së majtë.

Dëshmitarët

Në momentin e ngjarjes, zona ka qenë e populluar dhe nga të shtënat është krijuar frikë dhe panik te qytetarët.

“Unë isha në një lokal pak metra larg vendit të ngjarjes. Kam dëgjuar krisma dhe menjëherë kam parë personin e shtrirë në trotuar. Nuk e kam vënë re se kush i qëlloi, por vetëm dëgjova një automjet që xhiroi gomat dhe u largua me shpejtësi. Të plagosurin e morën ca njerëz që ishin aty dhe e dërguan me makinë drejt spitalit. Në momentin e ngjarjes ka pasur goxha lëvizje, por shyqyr që nuk u lëndua ndonjë person”, tha një qytetar.

Shënjestra e atentatit

Myslim Lika, 60-vjeçari të cilit iu bë atentat mesditën e sotme, nuk është një person i panjohur në botën e krimit. Ai ka qenë i dënuar me 25 vite burg për vrasje. Më konkretisht, në vitin 2000, në muajin prill, Lika ka qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi Gëzim Çelikun, bashkëpronari i firmës “Friul Alba” dhe administratorin Italian Luciano Bortolusi. Gëzim Çeliku ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa Bortolusi është plagosur dhe është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Udines.

Vetë Myslim Lika punonte bashkë me të shoqen e djalin në këtë fabrikë dhe vrasja erdhi si pasojë e një konflikti mes pronarëve të fabrikës dhe pronarëve të truallit ku ndodhej ajo. Gjithsesi për këtë krim, Lika e kishte kryer dënimin dhe së fundmi kishte dalë nga burgu.