'Aman se nuk ma mban më'/ Zbardhen përgjimet e kreut të Kadastrës

Report Tv ka zbardhur një pjesë të përgjimeve që Ervin Nelaj, ish- kreu i Kadastrës së Beratit, ka bërë me një nga punonjëset e këtij institucioni. Biseda, siç shihet në dokumentin e siguruar nga gazetari Arsen Rusta, mban datën 27 gusht 2020, ku nga sa dyshohet bëhet fjalë për një ndërhyrje që Nelaj i kërkon punonjëses të bëjë në një dosje, por kjo e fundit shprehet se ka frikë. Madje në një moment përmenden shifra të ndryshme, që për grupin e hetuesve mendohet bëhet fjalë për para të marra.

Ervini: Hajde.
Punonjësja: Të kujt? Aman se s'ma mban më se...
Ervini: 60, 65, 70, 75.
Punonjësja: Të kujt? Të voglin ça e ka ai, Dallaverin. Kujt të vogël mo?
Ervini: Po ai që thoshe ti që është afër...
Punonjësja: D.... Pa dalë se D... s’është bërë akoma.
Ervini: Po ça e ke këtë aman?
Punonjësja: Akoma dhe D...është shkëmb! Jo L..., prit njëherë.
Ervini: Ça t’i bësh D....
Punonjësja: Se El... tha unë e kam parë te noterja, nuk është ashtu fare.
Ervini: Mirë na mbajti ti këto se mos i prish unë.
Punonjësja: T'i prish unë.
Ervini: Unë i prish.
Punonjësja: Lëri një çik tek sirtari se vij i marrë unë më vonë ndoshta.
Ervini: Këtu te sirtari janë, te sirtari i parë janë.
Punonjësja: E se vij unë tani për disa sekonda me ndonjë dosje.
Ervini: Dosje, na mo, dosjen ku i ke çu.

Nelaj u la ditën e djeshme në burg nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në një seancë e cila është ndërprerë për shkak se i akuzuari nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore. Ai ka marrë ndihmën e duhur nga bluzat e bardha dhe më pas është njohur më masën e sigurisë ‘Arrest me burg’. Ai u arrestua 3 ditë me parë nga Policia e Beratit, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Burime zyrtare bënë me dije se Nelaj, i cili kishte vetëm 7 muaj në këtë detyrë, ka përvetësuar shuma parash nga persona të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me dokumentet e lejes së legalizimit. Nelaj prej 8 vitesh ishte specialist dhe inspektor i ‘Aluiznit’. Operacioni për kapjen e tij është nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat dhe SPAK-u, teksa vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.