Cironkat fitojnë ndaj peshkaqenëve/ Kush e nisi ‘luftën’ e aksioneve

Davidi kundër Goliatit! Cironkat kundër peshkaqenëve!

Ka shumë etiketime për këtë betejë që po zhvillohet në bursa, e cila ngjan me një skenar filmi. Historia po mban pezull opinionin publik dhe mediet ndërkombëtare.

Në qendër të saj është një grup investitorësh amatorë që kanë vendosur të kundërvihen ndaj ‘ujqërve’ të Wall Street-it.

Në shënjestër të amatorëve janë gjigantët e ‘fondeve-gardh’, investitorët e të cilave vënë bast mbi fatin e kompanive të ndryshme.

Aktivistët dhe të majtët i cilësojnë investitorët e ‘fondeve-gardh’ si gjakpirës pasi fitojnë miliarda në bursë duke vendosur për fatin e kompanive të ndryshme.

Vitin e shkuar, edhe pse SHBA ishte në mesin e pandemisë, këto ‘fonde-gardh’ fituan 127 miliardë dollarë.

Këtë herë në shënjestrën e tyre ishte një kompani lojërash në SHBA, e quajtur GameStop. Investitorët e ‘fondeve-gardh’ kishin vënë bast se kompania do të kishte probleme të mëdha financiare. Ata kishin nisur një praktikë që njihet si ‘shortselling’ me qëllim dobësimin e aksioneve të kompanisë, për t’i riblerë më pas.

Pikërisht këtu ndërhyjnë investitorët amatorë, të cilët u organizuan në rrjetin social Reddit. Sipas Daily Mail, personi që i organizoi është një këshilltar financiar që njihet edhe si Zoti Magjistar.

Bëhet fjalë për Keith Gill, 34 vjeç, i cili jeton në Boston. Ai është i martuar dhe me një fëmijë.

Gill këshilloi ndjekësit në Reddit që të blinin aksione te firma GameStop, pasi ajo po zhvlerësohej nga ‘peshkaqenët’ e Wall Street-it.

Nisi kështu një betejë që i kushtoi miliarda dollarë financierëve të ‘fondeve-gardh’. Aksionet e GameStop u rritën deri në 1700 përqind.

Sipas Daily Mail, Gill investoi 745 mijë dollarë në GameStop dhe në një pikë, pasuria e tij shkoi gati 48 milionë dollarë.

Rritja stratosferike e aksioneve të GameStop bëri që platformat e shkëmbimit të aksioneve të ndërpresin shit-blerjen e aksioneve.

Ky vendim u kritikua nga politikanët amerikanë, të cilët thanë se nuk është e ndershme që financiarët e ‘fondeve-gardh’ të blejnë lirshëm, kurse amatorët duhet të pengohen.

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se po e ndjek nga afër situatën. Kurse Kongresi mund të nisë një hetim për këtë çështje. Nën hetim do jetë edhe Gill.

Për ekspertët, kjo betejë shkon përtej fitimeve personale. Disa thonë se ajo i ngjan lëvizjes ‘Pushtoni Wall Street-in’. Të tjerë thonë se nga kjo lojë do ketë vetëm të dëmtuar.