A do guxojë sërish Rama?! SHBA dhe Britania paralajmërojnë për krimin në parlament

Frika dhe rreziku se Edi Rama do të përsërisë sërish atë që ka bërë në kohët e kaluara me katapultimin e krimit direkt në parlament, duket se është ende prezente te ndërkombëtarët.

Kështu ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, e cila e ka kthyer në kauzën e saj kryesore një parlament të ardhshëm shqiptarë pa figura të ardhura nga bota e errët, duke folur në një konferencë për mediat, dha disa mesazhe të forta për liderët e partive shqiptare. Ajo paralajmëroi se liderët politikë duhet të mos vënë kriminelë në listë, kurse shtoi se partitë duhet të bëjnë transparencë për financimet.

“SHBA ka punuar dhe do të punojë për të përmirësuar demokracinë në Shqipëri. Përfaqësuesit në parlament duhet të përfaqësojnë të gjithë shqiptarët. Liderët e partive të largojnë politikanët e korruptuar nga lista. Partitë të bëjnë transparente financimet. Të kontrollohen mirë kandidatët, populli shqiptar nuk duhet që të votojë për kriminelë. Shqipëria mund të ndërtojë një sistem më të mirë elektoral. Ne inkurajojmë të gjithë partitë, që të kenë transparencë për gjithçka për zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi sot ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri Duncan Norman gjatë Konferencës “Kostot e Demokracisë II” deklaroi se zgjedhjet e 2021-shit janë jetike dhe sfiduese për të ardhmen e Shqipërisë.

Ai theksoi se vullneti i popullit shqiptar ende nuk po respektohet plotësisht, dhe se nuk duhet të vazhdojnë fenomene si blerja e votës, intimidimi i votuesve, ndërsa kërkoi më shumë transparencë nga partitë politike sa i takon financimit të tyre.

“Gjatë këtyre 30 viteve të fundit demokracia shqiptare ka bërë progres, por është përballur edhe me probleme. Vullneti i popullit shqiptar ende nuk po respektohet plotësisht. Fenomene negative kanë vazhduar, si keqpërdorimin i Zyrës Publike, intimidimi i votuesve, apo blerja e votës. Vazhdon të ketë mungesë transparence sa i takon financimit të partive. Zgjedhjet e 2021-shit do jenë sfiduese, jetike, një hap i rëndësishëm drejt demokracisë dhe integrimit europian. Partitë kanë mungesë besimi te njëri-tjetri. Në këto kushte është një vëzhgim i pavarur është me shumë rëndësi. Ambasada britanike ka një paketë që nxit transparencën dhe ndihmon Shqipërinë drejt një procesi elektorali demokratik. Nuk kam asnjë dyshim që së bashku me partnerët tanë ne mund tia arrijmë kësaj, të sigurojmë që këto zgjedhje janë një hap i rëndësishëm përpara në sigurimin e demokracisë në Shqipëri”, tha Norman.

Nuk është hera e parë që ambasadori i Britanisë flet në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë.

Dy vite më parë ai deklaroi hapur në sy të Edi Ramës, se peshqit e mëdhenj shqiptarë janë ende në oqean dhe se kokat e krimit në Shqipëri kanë imunitet.

“Ata peshqit e mëdhenj për të cilët është folur mbeten ende në oqean dhe se anëtarët më të lartë të grupeve kriminale kanë imunitet sa i përket ndjekjes penale dhe kjo duhet të ndryshojë në vitet në vijim dhe ajo rrjeta duhet të mbyllet dhe duhet t’i kapë”, tha ai në një aktivitet ku merrte pjesë edhe kryeministri dhe ish-ambasadori i SHBA, Donald Lu.