Thomas Strakosha shmang operacionin në gju
Thomas Strakosha nuk do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Ky është besimi që kanë në radhët e klubit të Lazios, ku ka shqetësuar jo pak situata e dëmtimit të portierit të përfaqësueses shqiptare.
Gjatë ditës së djeshme, mediat italiane insistonin që portieri kuqezi mund të zgjidhte problemet që kishte me gjurin vetëm duke u operuar, por me sa duket është një opsion që te klubi i tij nuk e mendojnë.
“Radiosei”, një prej radiove që ka lidhje të ngushta me klubin, ka raportuar se sipas vlerësimi të stafit të Lazios, problemi i Strakoshës nuk është edhe aq i madh sa të kërkojë operacion urgjent.
Dëmtimi në fjalë mund të rikuperohet me pushim dhe me fizioterapi.
Ndaj hipoteza e operacionit ka rënë, sepse te Lazio pretendojnë që Strakosha mund të rikuperohet brenda 2 javësh.
Kështu, evitohet më e keqja për portierin, pasi operacioni në gju do ta linte për një kohë shumë të gjatë larg fushave të lojës, gjë që nuk i leverdis as futbollistit dhe as vetë klubit.
Ai mund të kthehet në temë për diskutim vetëm nëse 25-vjeçari nuk arrin të kalojë problemet fizike gjatë këtyre dy javëve.