'Timoni'/ Si u pasuruan ministrat e Ramës me shitje makinash

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se 18 nga 27 anëtarët e kabinetit të kryeministrit Edi Rama nga viti 2013 deri në vitin 2018, kanë probleme me justifikimin e pasurisë në të paktën një vit të karrierës së tyre si shërbyes publikë. Por duket se ministrat janë ekspertë sidomos kur bie puna te makinat

Në fund të tetorit 2019, kryeministri Edi Rama postoi një video me titullin: ‘Me timon pa timon shoferi jon osht kampion,’ ku ai bënte xhiro në një makinë pa shofer në një pistë të mbyllur për të ilustruar kapacitet e teknologjisë 5G të kompanisë Vodafone.

“Kur thosha që do vijë dita që makinat të ecin vetë dhe s’kam nevojë të marr patentën nuk më besonte njeri,” komenton Rama gjatë videos.

Fakti që kryeministri shqiptar nuk i jep makinës është i njohur. Ndryshe qëndron e vërteta për anëtarët e tjerë të kabinetit të tij, të cilët jo vetëm kanë patentë, por janë dhe tregtarë të zotë në shitblerjen e automjeteve.

Analiza e të ardhurave të 27 anëtarëve të kabinetit “Rama” tregon se nga viti 2013 deri në vitin 2018, ata përfituan në total 5.2 milionë lekë nga shitblerja e automjeteve, edhe pse pasuritë e luajtshme janë asete të amortizueshme.

Nga 33 raste të deklarimit të shitjes së automjeteve nga ministrat e kabinetit qeveritar, rezulton se në 36% të rasteve, shitja është realizuar me fitim.

Sipas të dhënave të analizuara nga BIRN, 27 anëtarët e Këshillit të Ministrave nga vitit 2013 deri në vitin 2018 regjistruan të ardhura totale me vlerë 1.5 miliardë lekë, nga të cilat 62.6% e të cilave ose 956.7 milionë lekë, vijnë si rrjedhojë e pagës së bashkëshortëve dhe pagës së subjekteve si pasojë e funksionit.

Ndërkohë, 125.6 milionë lekë ose 8.2 % e totalit janë të ardhura nga biznesi, 69.5 milionë lekë janë të ardhura nga shitja e pasurive të paluajtshme, 108.9 milionë lekë janë të ardhura nga qiratë, 8.8 milionë nga mësimdhënia dhe 1.8 milionë lekë janë dhurata në cash.

Në total, shpenzimet e kabinetit gjatë së njëjtës periudhë kapin vlerën 255.2 milionë lekë, ku 68.8 % ka shkuar për pagesën e kësteve të kredisë, 21.9 % pagesa ndaj shoqërive të ndërtimit, ndërsa pjesa tjetër përfshin shpenzime shkollimi dhe këste huaje.