Amatorët kundër gjigandëve të Wall Street/ Lufta e aksioneve mban pezull botën

Në kohën kur e gjithë bota vazhdon të flasë për koronavirusin dhe vaksinat, një betejë aksionesh ka marrë vëmendjen e medias dhe opinionit publik jo vetëm në SHBA.

Një grup investitorësh amatorë janë kundërvënë ndaj gjigandëve të Wall Street-it dhe lufta mes tyre reflekton jo vetëm një përplasje për fitime, por shumë më tepër.

Investitorët amatorë janë në luftë me gjigandët e ‘fondeve-gardh’ në Wall Street, të cilët etiketohen nga e majta dhe aktivistët si ‘gjakpirësit’, pasi fitojnë miliarda duke vënë bast mbi fatin e kompanive. Madje këta financiarë akuzohen se kanë fajin e tyre në krizën e vitit 2008.

Çfarë po ndodh aktualisht?

Sipas BBC, kompanitë e mëdha të ‘fondeve-gardh’ në Wall Street kishin vënë bast miliarda dollarë se aksionet e një firme lojërash, të quajtur GameStop, do të binin ndjeshëm. Firma cilësohej një dështim dhe ‘ujqërit’ e Wall Street nisën të aplikojnë praktikën e njohur si ‘shorting’ me aksionet e firmës GameStop.

Kur pritej që aksionet e firmës GameStop të binin ndjeshëm, investitorët amatorë u organizuan në rrjetin social Reddit dhe nisën të blejnë aksione te GameStop me qëllim rritjen e ndjeshme të çmimeve të aksioneve.

Dhe ashtu ndodhi. Çmimet e aksioneve të GameStop u rritën në mënyrë spektakolare, deri në 1700 përqind.

Kjo luftë nisi të tërhiqte vëmendjen jo vetëm të mediave, por edhe të Shtëpisë së Bardhë, e cila deklaroi se po e ndjek nga afër situatën.

Pikërisht në kohën kur investitorët amatorë nisën të ngrenë vlerën e aksioneve edhe për kompani të tjera, platformat e blerjes së aksioneve bllokuan shitjen e aksioneve për GameStop dhe të tjera kompani.

Kjo solli zemërim te investitorët amatorë. Por edhe politikanët amerikanë të krahëve të ndryshëm reaguan. Ligjvënësit Alexandria Ocasio-Cortez dhe Ted Cruz thanë se nuk duhet të bllokohen investitorët amatorë që të blejnë aksione, ndërkohë që ‘fondet-gardh’ vazhdojnë të tregtojnë aksione lirshëm.

Teksa janë paralajmëruar hetime, disa analistë thonë se kjo situatë të kujton protestat ‘Pushtoni Wall Street-in’ kur u ndez revolta kundër financiarëve.