Ismail Kadare mbush sot 85 vjeç

Sot, shkrimtari i shquar Ismail Kadare mbush 85 vjeç.

Ismail Kadare është poet e prozator dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare. Ai është një ndër personalitet qendrore të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX. Ismail Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër, ku kreu arsimin e mesëm.

Në vitin 1958 u diplomua në degën e gjuhës e të letërsisë në Universitetin e Tiranës e më pas vazhdoi studimet për dy vjet në Institutin "Gorki" në Moskë. Fillimet e tij letrare janë kryesisht në poezi (“Frymëzime Djaloshare”, “Përse mendohen këto male” etj).

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) përbën veprën e konfirmimit të talentit të tij.
“Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “ Kush e solli Doruntinën” etj., janë disa nga veprat e tij më të rëndësishme që përbëjnë krijimtarinë e tij letrare.

Veprat e tij janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja dhe është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Që nga vitin 1994 I. Kadare është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është laureat i shumë çmimeve.

Në vitin 2005, Ismail Kadare fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. I. Kadare është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit”, si dhe me mirënjohje të tjera.